Qeveria vendos: Trualli i Teatrit Kombëtar do ti kalojë në pronësi Bashkisë së Tiranës

Me vendim të Këshillit të Ministrave, trualli i Teatrit Kombëtar do ti kalojë në pronësi Bashkisë së Tiranës. Në VKM përcaktohet qartë se bashkisë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka folur në një lidhje “live” nga Tokio, ku ndodhet për Lojërat Olimpike për këtë vendim të qeverisë.
Veliaj tha se kalon në pronësi vetëm trualli dhe jo ndërtesa, e cila nuk ekziston më dhe se ky vendim nuk bie ndesh me atë të Gjykatës Kushtetuese.
“Është reflektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta bërë siç duhet VKM-në e Teatrit duke qenë se teatri i vjetër fizikisht nuk ekziston është vetëm trualli ai që kalon dhe jo trualli me një ndërtesë që tani nuk ekziston më.
Është korrektuar sipas Gjykatës Kushtetuese kalimi i pronës tek Bashkia e Tiranës që na mundëson të vazhdojmë me procedurat për ndërtimin e Teatrit. Nuk bien ndesh me njëra-tjetrën vendimet e qeverisë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Meqë jemi në Tokio ajo që kam kuptuar në vende të tilla është që kombet ecin përpara kur nuk bllokohen projektet e mëdha.
Stadiumi këtu nuk është aq ndryshëm apo më i madh dhe më i bukur se Arena Kombëtare. Diferenca është që ne i bëjmë ndryshimet me shumë dhimbje. Stadiume si ky bëjmë dhe ne, e kemi bërë në Tiranë”, tha Veliaj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




