Qindra viktima në Kanada nga temperaturat përvëluese

Një rekord temperaturash në Vankuver në Kanada u bënë shkak që 134 persona të humbin jetën. “Vancouver nuk ka provuar kurrë të nxehtë si ky, dhe fatkeqësisht dhjetëra njerëz po vdesin për shkak të temeperaturës së lartë”, tha për AFP rreshteri i policisë Steve Addison. Ai bën të ditur se policia në zonën Vankuver ka regjistruar më shumë se 134 vdekje që nga dita e premte. Shumica e viktimave kanë qenë njerëz të moshuar ose me probleme shëndetësore. Sipas policisë, nxehtësia besohet se ishte faktor kontribues në vdekjen e 65 personave.
Të martën, Kanadaja ka regjistruar temperaturën më të lartë në historinë e saj: 49.5 gradë Celsius në qytezën Liton. Përpara kësaj jave, temperaturat në këtë vend nuk kanë kaluar 45 gradë Celsius. Me valë të nxehtësisë po përballen edhe disa pjesë të Shteteve të Bashkuara. Të hënën, temperatura në Portllend të Oregonit ka arritur në 46.1 gradë Celsius, ndërsa në Siatëll të Uashingtonit ka shënuar 42.2 gradë. Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës pritet të rrisë frekuencën e ngjarjeve ekstreme të motit, të tilla si valët e nxehtësisë. Kryeprokurori për provincën e British Columbia, i cili përfshin Vancouver, tha se ai kishte “përjetuar një rritje të konsiderueshme të vdekjeve të raportuara, kur dyshohet se nxehtësia ekstreme ka qenë faktor i humbjeve të jetëve”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




