QSUT: Shërbimi i urgjencës polivalente do të ofrohet sipas një grafiku në Spitalin Universitar të Traumës

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bëri të ditur të shtunën se si pasojë e një defekti teknik në një nga dhomat e shërbimeve teknike 6 ditë më parë, në katin -1 të godinës së Spitalit Qendror në QSUT u konstatua tym dhe menjëherë u morën masat për mos përhapjen e tij në ambientet e shërbimit të urgjencës, si dhe është bërë sigurimi i pacientëve të shtruar duke e vijuar shërbimin ndaj qytetarëve.
Për të mos prekur shërbimin e urgjencës për qytetarët për shkak të këtij difekti teknik të ndodhur, bazuar në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shërbimi i urgjencës polivalente pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vazhdon të ofrohet sipas një grafiku të mirë përcaktuar në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe në Qendrën Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”.
“Ndërsa qytetarët e Gjirokastrës, Vlorës, Fierit e Beratit, do marrin urgjencën kardiologjike, atë të sëmundjeve të brendshme e atë ortopedike në Spitalin Memorial, ndërsa urgjencat kardiologjike për qarkun Shkodër dhe Lezhë trajtohen në Spitalin Rajonal Shkodër. Aksidentet vaskulare cerebrale trajtohen në Shërbimin neuro vaskular QSUT ndërsa urgjencat e tjera neurologjike në QSR Shefqet Ndroqi.”, thuhet në njoftim.
Sipas saj, falë investimeve të bëra në të gjithë sistemin këtë dekadë dhe angazhimit të personelit shëndetësor, janë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ofruar përkohësisht shërbimin e urgjencës së spitalit qendror në këto struktura shëndetësore bazuar në planet e emergjencës.
“Ndërkohë aktualisht strukturat përgjegjëse po vijojnë punën me këmbëngulje për rikthimin sa më parë në punë të shërbimit të urgjencës në spitalin qendror në QSUT duke garantuar dhe sigurinë e të gjithë elementëve teknik për të vijuar shërbimin ndaj qytetarëve me standarde të duhura. Sistemi shëndetësor spitalor është i mobilizuar, për t’i shërbyer qytetarëve në çdo skaj te vendit për nevojat e tij shëndetësore. Spitalet punojnë me staf të plotë për të pritur urgjencën e sëmundjeve kardiake, sëmundjeve të specialiteteve të ndryshme duke qenë në gatishmëri 24/7 koronarografi.”, përfundon njoftimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




