Rama: Ballkani i Hapur një mekanizëm më shumë për të përshpejtuar ndërtimin e institucioneve evropiane në vendet tona!

Politikë | 5 vite më parë

Kryeministri socialist shqiptar Edi Rama ka mbrojtur idenë “Ballkani i Hapur” duke thënë se ajo nuk është lojë e Serbisë apo konspiracion rus për të ringjallur Jugosllavinë, apo devijim nga rruga drejt BE-së. “Këto janë përralla me gogol” tha zoti Rama duke paraqitur programin e qeverisë së tij në parlament. 
Sipas tij iniciativa “Ballkani i Hapur mundëson që ta nxjerrim vetë “gomarin nga balta”, pa pritur që të ikë edhe një 20-vjeçar tjetër. Është një mekanizëm më shumë për të përshpejtuar ndërtimin e institucioneve evropiane në vendet tona. Ballkani i Hapur është i njerëzve që nuk duan të presin me orë nëpër kufi; është i fermerëve shqiptarë, që sot janë eksportuesit më të mëdhenj në rajon të perimeve; është i tregtarëve që nuk duan të torturohen nga disa palë inspektorë për disa palë letra; është i turistëve që nuk duan të qëndrojnë në radhë me orë të tëra; është i punëtorëve që duan të gjejnë një punë më të mirë në një vend tjetër dhe nuk duan të merren me viza” tha zoti Rama.
“Ne nuk na intereson se sa do të fitojë Serbia, por se sa do të fitojë Shqipëria. Serbia duhet të kërkojë falje dhe këtë nuk e luan topi, por te kërkesa e faljes nuk arrihet duke u izoluar mbrapa barrikadës së një lufte imagjinare. Arrihet duke u rënë dakord për gjëra që janë në dobi të mirëqenies ekonomike dhe sociale” nënvizoi Rama si një përgjigje edhe ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Kryeministri i shqipërisë theksoi ndërkohë edhe qëndrimin e Shqipërisë në raport me Kosovën. “Foshnjat që lindën në luftë dhe që sot janë rritur nuk ia kanë borxh politikës që luan luftash me Serbinë, që Kosova, për politika që nuk kanë të bëjnë me perspektivën, t’i humbasë në paqe të gjitha kreditet ndërkombëtare që janë fituar me gjak dhe dhimbje”. “Për Kosovën ne mund vetëm të flasim, jo të vendosim. Neve na takon të respektojmë vendimet e autoriteteve të Kosovës, ashtu siç duhet të respektojnë ata vendimet e autoriteteve tona. Nuk duhet t’i shpallim tradhtarë ata që mendojnë ndryshe, apo serbo-kinezë. Shqipërisë nuk mund t’i jepen leksione. Koha do ta tregojë se kush ka të drejtë, por duhet të merremi me punët e dobishme për njerëzit!” tha zoti Rama.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme