Rama: Berisha- Meta nuk përfaqësojnë asnjë lloj të djathte, s’përfaqësojnë asnjë lloj alternative

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama, gjatë turit të takimeve në jug të vendit, për zgjedhjet vendore të 14 majit, që nga Këlcyra deklaroi se qëllimi i dyshes Berisha-Meta, nuk është shërbimi, por vetëm pushtimi i bashkive.

Sipas tij, qytetarët, mund të mos e shikojnë dot me sy PS, as Edi Ramën, por nuk duhet ta çojnë votën dëm.

 “Ata sjellin frymën e Sudes, s’kanë asnjë respekt për njerëzit, kap çfarë të kapësh, mblidh votat edhe hajt se po e kapin e zaptojnë bashkinë. Këta i shohin bashkitë si Kështjella për t’i marrë peng. Janë njerëz që duan sherr, duan konflikt e t’i kthejnë bashkitë në barrikada.”- theksoi Rama.

Sipas tij, të gjithë ata gjyshër që e pësuan politikisht pse ishin të djathtë dhe që sot janë në botën tjetër, do të rrotulloheshin në varr, nëse u jepet vota atyre që vijnë këtu për llogari të Berishës e Metës, sepse ata nuk përfaqësojnë asnjë lloj të djathte, nuk përfaqësojnë asnjë lloj alternative tjetër “përveç hallit të madh të dy njerëzve me drejtësinë, të një çifti që është zorra qorre e Shqipërisë”.

Rama: Memaliaj- Tepelenë, do të jetë ndër destinacionet më të preferuara për turistët e huaj

Ndërsa në Tepelenë, kreu i qeverisë shqiptare premtoi se ajo zonë do të kthehet ndër destinacionet më të preferuara për turistët e huaj.

Sipas tij, Tepelena ishte një “xhep falso” në anë të rrugës dhe as nuk mund të imagjinohej që këtu të flitej për turizëm e agroturizëm të ndërtuar me investimet e emigrantëve tepelenas, që gjithmonë e më shumë po e kthejnë kokën aty ku kanë të ardhmen e sigurt.

“Nga Memaliaj në Tepelenë, do të jetë ndër destinacionet më të preferuara për turistët e huaj. Kalaja ka hyrë në fazën e dytë të projektit dhe do të jetë një tjetër pikë që do të tërheqë turistë dhe do të hapë vende të tjera puna. E kanë marrë besimin e Shkodrës verbërisht, symbyllur, por është qyteti ku plehrat vazhdojnë, mbushin kazanët. Po Memaliajn pse e kërkojnë? Për ta marrë peng? Për të sjellë sherrin e ‘non grata’ dhe ‘Like Floririt’, për të sjellë turpin e për ta kthyer bashkinë në një kështjellë ku futen disa njerëz, jo për Memaliajn por për veten e tyre”, tha Rama.

 

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme