Rama dhe Abazoviç në Kiev, vizitojnë Irpin! Kryeministri shoqërohet nga forcat RENEA

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka publikuar në rrjetin social Facebook pamjet nga nisja dhe mbërritja në Kiev, së bashku me Kryeministrin Edi Rama. Abazoviç dhe Rama, kanë udhëtuar me avionin Air Albania deri në Poloni, dhe prej aty kanë marrë trenin për në Kiev, ku janë pritur nga forcat ushtarake ukrainase.
Kryeministri Edi Rama së bashku me Dritan Abazoviç gjatë vizitës së tyre në Ukrainë, do të vizitojnë zonat e bombarduara të Borodyanka dhe Irpin, dhe më pas ekspozitën me dëshmi të luftës ruso-ukrainase. Më pas, Kreu i qeverisë dhe homologu i Malit të Zi do të priten në një takim nga Presidenti Volodymyr Zelensky, takim ky që do të pasohet nga një Konferencë e përbashkët për shtyp. Po ashtu, kryeministri Rama do të zhvillojë takim edhe me Kryeministrin ukrainas dhe më pas me Kryebashkiakun e Kievit Vitali Klitschko.
Kryeministri Abazoviç dhe kreu i qeverisë shqiptare kanë vizituar Irpin, një nga vendet që ka pësuar humbje të mëdha prej agresionit rus. Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook disa pamje nga Irpin, ku shihen banesat e shkatërruara nga bombardimet e forcave ruse.
Edhe kryeministri Abazoviç ka publikuar një video nga vizita në Irpin, teksa shpreh mbështetjen e Malit të Zi ndaj Ukrainës, për humbjet e mëdha të jetëve, vuajtjeve dhe shkatërrimeve që po përjeton prej më shumë se 3 muajsh.

Gjatë vizitës për në Kiev, kreu i qeverisë shqiptare shoqërohet Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri ndërsa si pjesë e sigurisë ishin dhe forcat RENEA. Abazoviç dhe Rama u nisën më 14 qershor drejt Ukrainës. Kjo është vizita e parë e Kryeministrit Rama në Ukrainë. Që prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt, Kreu i qeverisë ka përsëritur jo pak herë mbështetjen e Shqipërisë ndaj ukrainasve.
Abazoviç ftoi edhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për vizitën në Kiev, por ai nuk e ka pranuar ftesën e kryeministrit të Malit të Zi. Kabineti i Kovaçevskit ka bërë me dije se axhenda e kryeministrit për momentin është e ngarkuar dhe një vizitë e tillë në Ukrainë është planifikuar për të ardhmen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




