Rama: Dosjet të hapen! “Non grata” s‘ka dashur kurrë hapjen e tyre. Duhet ta dimë kush është I. M

Kryeministri Edi Rama, ka mbrojtur në Kuvend projektligjin për hapjen e dosjeve. Sipas tij, një nga të këqijat më të mëdha që ka bërë komunizmi pas vdekjes ka qenë fakti se ka pjellë komunistë, anti komunistë. Kryeministri ka nënëvizuar se nëse dëshirohet të dihet se kush është shtetasi I.M, mbase është ai ose mbase nuk është ai, duhet të çlirohemi të gjithë nëse shtetasi I.M nuk është ai që të gjithëve na shkon mendja.
“Pse nuk vjen këtu Partia e Liries dhe Liria e Partisë këtu? Sepse nuk e kanë dashur kurrë hapjen e dosjeve, sepse kanë dashur që sa më shumë hije të vijnë vërdallë. Jo më kot Havel thotë se më i ziu i komunistëve është komunisti, anti- komunist.”- ka theksuar Rama.
Ai ka sjellë në vëmendje dhe At Zef Pllumin, i cili ka thënë: ‘Don më dit kush ka bashkëpunu më shumë me ta, nigjo kush ulëret më shumë prej tyne’.
Sipas tij, mjafton të marrësh ulëritësin nr. 1 që nuk do që të hapen këto dosjet e mbrojtura nga SHIK, dhe sa ka ulëritur si anti-komunist dhe nuk e bëri edhe duke e pasur 8 vite rresht.
“Ai lustracioni është akt barbarie që është rrëzuar kohë përpara sesa ta tentonte pjella anti- komuniste e komunistit nga GJEDNJ. Ai lustracioni është njësoj si klithmat për të mbrojtur Kosovën, kur votuar raportin e Marty-t, ai lustracioni është fiks si kjo pamja këtu në sallë. Ku e ke Oerd ‘non grata’-n? Pse nuk vjen ai këtu që t’i hapë rrugë hapjes së dosjeve, që janë dosje të personave me rëndësi që nuk hapen dot? Kjo është ironia e at Zef Pllumit, se ne i kemi hapur dosjet. Ka vetëm një kategori dosjesh që janë të pahapura, dosje të disa figurave të shtetit të pajisur me certifikatë sigurie që rezultojnë në dokumentet e ish-sigurimit. Dëshiron ti ta dish kush është shtetasi I.M? Mbase është ai ose mbase nuk është ai. Të çlirohemi të gjithë nëse shtetasi I.M nuk është ai që të gjithëve na shkon mendja. Pse të mos e hapim? Ndërkohë ka që në vitin 2015, pa përjashtim, të gjithë viktimat e persekutimit komunist shkojnë e marrin dosjen e tyre. Dhe për ata ka edhe një kufizim që hiqet sot, që ka të bëjë me deklasifikimin e dokumenteve sekrete. ”,- tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



