Rama i kërkoi SPAK të hetojë Berishën e Metën, Yuri Kim: Drejtësia funksionon kur politika s’bën thirrje për hetim të individëve specifik

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim thekson me zë të fortë se njerëzit dhe pushtetarët duhet të kenë besim tek sistemi i drejtësisë, tek prokurorët dhe gjyqtarët dhe jo të bëjnë thirrje ndaj tyre për të hetuar individë specifik.
Duke iu referuar thirrjes së kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK që të hetojë Sali Berishën dhe Ilir Metën, Kim tha në emisionin ‘Open’ se për SHBA reforma në drejtësi funksionon vetëm atëherë kur drejtësisë nuk i bëhet thirrje për hetime, por ajo funksionon si një institucion që ka vullnetin për të zbatuar ligjin.
“Fola për këtë pak ditë më parë, kur Ministri i Drejtësisë përsëriti atë që kishte thënë Kryeministri. Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është se kur shohim reformën në drejtësi, do ta dimë se vërtet ka pasur sukses kur të mos quhet më normale apo me vend që udhëheqësit politikë, qofshin në pushtet apo larg pushtetit, por sidomos nëse janë në pushtet, të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të individëve specifikë. Ajo që duam të shohim nuk është përmendja e emrave specifikë, por një sistem drejtësie të ngritur dhe institucione që kanë si vullnetin ashtu edhe aftësinë për të zbatuar ligjin, barabar, për këdo, në mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin. Ligji të aplikohet barabar. Ndaj, pres me kënaqësi ditën kur mund ta kemi këtë besim tek sistemi i drejtësisë i Shqipërisë, tek prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë”, tha Kim.
E pyetur a duhet marrë thirrja e Ramës i presion ndaj SPAK, për ambasadoren Kim ka mënyra të tjera për të inkurajuar reformën në drejtësi dhe kjo nuk vjen përmes këtyre thirrjeve.
“Mendoj se ka mënyra të ndryshme për të shprehur mbështetje për reformën në drejtësi dhe mendoj që e kam shprehur pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje shumë qartë”, tha Kim.
Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer kritikat ndaj SPAK se po merret me cironkat dhe jo me peshkaqenët e vërtetë duke shigjetuar Sali Berishën i shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe Ilir Metën, ku sipas kryeministrit duhet të kishin nisur hetimet ndaj tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




