Rama kritika BE nga Brukseli: Duhet të na japin më shumë burime! Mbështetja prej 85 mln euro, u mor nga fondet IPA

Nga Brukseli, ku u mbajt sesioni i diskutimit rreth Samitit BE-Ballkani Perëndimor që u zhvillua në Tiranë, kryeministri Edi Rama nuk i kurseu kritikat ndaj BE për mbështetjen financiare që i jepet vendeve të Rajonit.
Teksa përmendi mbështetjen prej 85 mln euro për krizën energjetike, Rama tha se shuma do të merret nga fondet IPA, instrument i financuar nga BE për Vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa e vuri atë përballë mbështetjes prej 85 mld euro që do t’i jepet Greqisë.
Sipas Ramës, BE duhet t’i japë vendeve të Ballkanit Perëndimor më shumë burime dhe kapacitete, në mënyrë që qytetarët të mund të kenë standarde më të mira jetese.
“Duhet të përfshihemi në hapësirat ku mund të marrim më shumë mbështetje. Morëm mbështetje 85 mln euro për krizën energjetike, po u morën nga fondet IPA, sepse fondet IPA janë për projektet tona. Dje pata një bashkëbisedim me kryeministrin Miksotakis. 85 mld plus të ardhurat e brendshme nga aktiviteti i Greqisë që vijnë nga BE, është e stërmadhe. Patjetër kur ke 85 mld plus pavarësisht nga ajo që krijon brenda sistemit, patjetër që merr frymë dhe mund të hartosh politikat e tua të mbështetjes. Por kur ke vetëm sistemin e brendshëm, si t’ja bësh? BE duhet të mendojë për konvergjencën financiare. Duhet të na japin më shumë burime, më shumë kapacitete. Po flasim për mbështetje që është vërtetë e rëndësishme. Po të bëjmë një llogaritje sa paguan BE për një qytetar të Unionit dhe sa mund të paguajmë ne për qytetarët tanë, është qesharake. Demokracia pa standarde të mira jetese…”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




