Rama mesazh nga Dhërmiu: Hyrjet nga Aeroporti i Tiranës dhe kufiri i Morinës, rritje marramendëse

Aktualitet | 2 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh për qytetarët nga Dhërmiu ku ka zgjedhur të pushojë edhe këtë vit, sikurse ka bërë përgjatë 10 viteve të fundit.

Kreu i qeverisë bëri me dije për publikun e gjerë shifrat e hyrjeve nga Aeroporti i Tiranës dhe kufiri i Morinës.

Rama deklaroi se nga Aeroporti Nënë Tereza kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, me një rritje prej 350 mijë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Këto shifra, sipas kreut të qeverisë, “u mbyllin gojën” të gjithë atyre që flasin për zbrazjen e Shqipërisë.

“Ca ditë pushim si gjithnjë prej 10 vitesh këtu në Dhërmiun magjik.

Mbrëmë mora të dhënat e hyrjeve në Shqipëri nga Aeroporti Nënë Tereza dhe kufiri i Morinës dhe mu duk e udhës që t’i ndaj me ju.

Nga aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë. Mbi 350 mijë më shumë se sa vjet.

Madje këtë korrik është thyer dhe një rekord tjetër ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, një volum marramendës e pa imagjinueshëm deri pak vite më parë.

Fatmirësisht për shifrat e Aeroportit nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë: u zbraz Shqipëria edhe nga shqiptarët e turistët. Sepse Aeroporti i Tiranës po mbush vitin në krye të klasifikimit evropian për rritjen relative me vitet paraardhëse. Ndërsa në vlerë absolute numër pasagjerësh për  numër pasagjerësh Tirana ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit I cili historikisht ka qenë I pari dhe absolut në këtë rajon”, tha Rama.

Ky i fundit vijoi më tej edhe me shifrat e hyrjeve nga kufiri i Morinës ku bëri me dije se kanë hyrë 175 mijë më shumë automjete se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Rama i konsideroi teoritë e braktisjes së Shqipërisë nga shqiptarët e Kosovës, si një zero me xhufka.

“Edhe shifrat e Morinës që I tregon regjistri elektronik i pagesës së autostradës, ku lexohet çdo hyrje, tregojnë se gjatë këtij viti kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë se vjet, kurse në korrik 3 mijë më shumë se korrikun e shkuar.

Teoria keqdashëse e përhapur këtë sezon me disa teori të tjera për shqiptarët e Kosovës që e paskan braktisur Shqipërinë, është zero me xhufka”, theksoi ai.

Më tej, kryeministri u ndal edhe te të ardhurat nga doganat e tatimet, ku theksoi se kanë regjistruar rritje krahasuar me vitin 2023. Sipas tij, Shqipëria do jetë kampione e padiskutueshme e turizmit në rajon.

“Nga ana tjetër janë shifrat e të ardhurave nga doganat e tatimet që edhe ato janë me rritje krahasuar me vjet. Më shumë njerëz që shpenzojnë këtu në Shqipëri.

Shqipëria do jetë kampione e padiskutueshme e turizmit në rajonin tonë”, përfundoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme