Rama: Në mandatin e katërt çojmë deri në fund projektet e nisura. Qershia mbi tortë, Samiti i NATO-s në Tiranë

I sigurt për një fitore “spektakolare” në zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen në vitin e ardhshëm, kryeministri Edi Rama theksoi se në mandatin e katërt, qeveria do të çojë përpara të gjithë projektet e përmendura deri më tani. Kreu i qeverisë përmendi Korridorin Blu, Korridorin e VIII, pistën e garave të Formula 1 në Elbasan etj..
“Në mandatin e katërt do çojmë deri në fund ato që kemi thënë dhe që kemi nisur: Korridorin Blu, Korridorin VIII që po merr formë në një pjesë të tij në zonën Elbasan-Pogradec dhe me radhë të gjitha të tjerat. Do ta bëjmë brenda mandatit të katërt edhe pistën e garave të Formula1 në Elbasan dhe do ta fusim Shqipërinë edhe në klubin prestigjioz të shteteve organizatore të Formula 1 me 1 miliardë shikues në një ditë të diele. Do ta hapim vitin e ardhshëm edhe aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Do të hapim deri në fund të mandatit të katërt edhe portin e ri tregtar dhe ushtarak të Durrësit, ndërtimi i të cilit nis këtë mandat, gara shpallet pas pak. Do ta çojmë në 20 milionë edhe numrin e turistëve të huaj, do ta bëjmë edhe Shqipërinë eksportuese neto të energjisë, si një vend që nuk ka më nevojë të shtrijë dorën asgjëkund për të blerë energjinë”, tha Rama.
Pasi Tirana do të presë Samitin e Komunitetit Politik Europian vitin e ardhshëm, Rama tha se Shqipëria do të luftojë të mirëpresë edhe Samitin e NATO-s. Ai theksoi se Shqipëria ka vënë kandidaturën për vitin 2027, ndërsa e konsideroi si “qershinë mbi tortë” për mandatin e katërt.
“Dua që të vendosim qershinë mbi tortë në mandatin e katërt dhe të kemi në Tiranë Samitin e NATO-s. Kemi vënë kandidaturën për vitin 2027 dhe nuk do t’i ndahemi do t’i qepemi që t’i bindim se nuk ka më mirë se Shqipëria”, theksoi kryeministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




