Rama në Pukë flet për opozitën: Hijena që ushtrojnë terror ndaj qytetarëve, e duan pushtetin për të vjedhur

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Puka se opozita nuk meriton as minimumin e vëmendjes, teksa i akuzoi për hordhi që lëshojnë natën rrugëve për të kërcënuar qytetarët në këmbim të votës.
“Këta nuk meritojnë as minimumin e vëmendjes, jo më respekt. Po atë bandit, djalin e gjykatësit të larguar nga vetingu për korrupsion që vjen këtu dhe nxjerr armë në Pukë, ça e kanë atë?
Po këto hordhi që i lëshojnë natën rrugëve për të kërcënuar njerëz ca i kanë këto?
Si është e mundur që në 2023 të vazhdojë ky avaz me njerëz që vijnë si hiena dhe turren rrugëve e shqetësojnë banorët e këtij vendi për të imponuar njerëzit që ca të votojnë?”, tha Rama teksa e konsideroi Shkodrën dhe Durrësin si dy qendra të rëndësishme dhe strategjike për zhvillimin e vendit. Pikërisht në këto dy vende do të shënojë edhe fundin e fushatës së PS për zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Kjo është dita e fundit e fushatës të cilën vendosa që ta bëjmë një ditë aktivitetesh në qarkun e Shkodrës dhe ta mbyllim në qendrën e Shkodrës dhe Durrësit sepse janë dy qendra të rëndësishme dhe strategjike për zhvillimin e vendit, dy pasqyra për të parë cili është dallimi mes nesh dhe atyre që çuditërisht dhe pafytyrësisht kërkojnë votë për të përsëritur atë që bëjnë sa herë e kanë marrë votën”, shtoi ai.
Më tej, Rama i konsideroi kandidatët e opozitës si hiena që dalin natën për të terrorizuar qytetarët dhe për të ushtruar dhunë, sjellje që sipas tij, nxit kryebashkiakët socialistë t’i drejtohen strukturave të Policisë.
“Këto hiena që dalin rrugëve të urdhëruara nga ai maska i faqes së zezë të Tiranës do marrin pushtetin këtu? Për ça e duan pushtetin, përveçse për të grabitur atë pak që këtu në fakt duhet shpenzuar me nikorqillëkun më të madh., kur do e çojmë në 100 mijë nr e turistëve në këtë zonë, nuk flas kot. Nuk ka Puka asnjë dallim në aspektin e potencialit, mundësive të veta, krahasuar me Belshin.
Hienat dalin natën për të dhunuar njerëzit për votën, turp i madh.
Dhunën këtu e bën opozita, jo pushteti. Kryetarët tanë të bashkive i drejtohen policisë së shtetit për mbështetje., për të mbrojtur njerëzit nga dhuna e atyre që vijnë për të marrë pushtetin për ta shfrytëzuar për atë faqen e zezë në Tiranë”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




