Rama nga Gjirokastra: Qeveria do paguajë taksat e artizanatit për të stimuluar prodhimin! Paga minimale do shkojë në 40 mijë lekë

Qeveria do të paguajë taksat e dyqaneve artizanale në qytete historike për të nxitur sa më shumë prodhimin e tyre. Nga Gjirokastra, kryeministri Rama tha se do të krijohet një skemë e re financimi i artizanatit në mënyrë që qendrat historike të kenë prodhimet autentike të tyre.
“Do krijojmë skemë të re financimi të të gjitha taksave te dyqaneve për artizanatin, Duhet të kemi prodhimet tona autentike në zona historike si Gjirokastra. Qeveria do paguajë taksat e artizanatit që të nxisim më shumë prodhimin e saj. Nuk janë mijëra e mijëra janë pak dhe ndërkohë do stimulojmë të gjithë rrjetet e artizanëve. Këtu ka gra që punojnë me dorë e qëndisin nëpër fshat. Ata s’mund të kërkojnë punën e të vijën në qytete, por duhet të shkojë puna tek ata dhe pastaj duke e marrë punën e tyre dhe shitur në qytete”, tha Rama.
Në një takim me qytetarët Rama foli edhe bonusin e rijetëzimit të shtëpive, ku tha se në qytetet e trashëgimisë botërore shtëpitë nuk janë në dëshirën e qytetarit për t’i dhënë apo jo.
“Do kemi një bonos të ri të rijetëzimit të shtëpive dhe në Gjirokastër janë 11 shtëpi. Kjo nuk është vetëm një shtëpi e shqiptarëve por një trashëgimi botërore, dhe nuk mund të mbash shtëpinë peng e të thuash jo nuk e jap. Do gjejmë një sistem edhe më detyrues siç e kanë vendet e tjera”, tha Rama.
Për shkak të krizës Rama tha se paga minimale 40 mijë lekë do shkojë më shpejt nga sa ishte parashikuar.
“Paga minimale 400 mije lekë do arrijë më shpejt sesa ishte parashikuar brenda mandatit. Nuk kemi një paketë tjetër, por kemi bërë një rritje të qëndrueshme. Në buxhetin e 2023 do të vendosim një financim të veçantë për të përballuar situatën. Do të kemi dyfishin e buxhetit të 2013”, tha ai.
Në fokus të bisedave ka qenë edhe mbështetja e qytetarëve në një kohë kur vendi po përballet me krizën energjetike dhe rritjen e çmimeve të jetesës. Rama tha se qeveria do të mbrojë konsumatorin nga rritja e çmimit të energjisë, ndërsa shtoi se qeveria po investon në pelene diellore dhe energjinë e erës pikërisht që të mos varet më nga kjo krizë në të ardhmen.
“Edhe sikur t’i kemi hidrocentralet plot ne 75 % te nevojave përmbushim dhe ajo 25 % duhet importuar, po investojmë të bëhemi edhe një pikë referimi në rajon për eksportet por kjo do kohën e vet. Kjo krizë erdhi pa na pyetur, prandaj po investojmë në panele diellore dhe në energjinë e erës. Do të jemi më shumë se kurrë pranë njerëzve në nevojë dhe njerëzve të punës, për ta përballur dimri që po quhet dimri më i vështirë i Europës nga Lufta e Dytë Botërore, pasojë e inflacionit të luftës së Putinit kundër lirisë e demokracisë perëndimore. Ne do bëjmë çmos që edhe rritjen e çmimeve ta përballojmë së bashku duke vendosur më shumë financa në si pozicion të njerëzve”, tha Rama.
Ai foli gjithashtu edhe për rritjen e pensioneve, dyfishimin e ndihmës ekonomike, ndërsa tha se pensionistët do të marrin bonus në fundvit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



