Rama nga Jerusalemi: Krenar për Shqipërinë, atdheu i dytë për hebrenjtë në vitet ’30

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Jerusalem, pak pas takimit që zhvilloi me Presidentin Isaac Herzog ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Lëvizja “Lufto Antisemitizmin”. Në fjalën e tij, kryeministri vuri theksin te roli i shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Gjithsesi nuk kam çfarë t’ju shtoj atyre ç’ka dini, por ndoshta do të jetë interesante të dini më shumë për rastin e Shqipërisë dhe si historia u zhvillua komplet ndryshe. Ku pjesa tjetër e botës ishte vendi më i keq i mundshëm për hebrenjtë. Pranimi i hebrenjve dhe mbrojtja e tyre gjatë Luftës së dytë botërore janë vetëm episodi i fundit i bashkëjetesës së gjatë me shqiptarët në atdheun e tyre i cili u pa globalisht si atdheu i dytë për hebrenjtë në vitet ’30 dhe shumë pak njerëz e dinë këtë.
Ka një kompontent themelor që bashkon ardhjet masive të hebrenjve në Shqipëri. Ata nuk janë drejtuar asnjëherë drejt këtij porti të qetë por vetëm kur kanë qenë më të rrezikuarit. Siç tregohet nga historiani i parë i krishtërimit Flavius Joseph në librin e tij mbi luftërat judaike vendbanimet më të hershme hebreje u krijuan në jug të Shqipërisë në shekullin e parë. 3 mijë hebrenj që kishin hipur në anije që drejtoheshin për në kryeqytetin e Perandorisë romake si fuqi punëtore u rrëmbyen në Adriatik dhe u devijuan në brigjet tona ku toponimia hebraike si Galile, Fionike, Orikum, Paleste është ende e pranishme. Ata kishin ndërtuar sionagogën e parë në Ballkan në shekullin e pestë në Sarandë, qytetin në kufi me Greqinë në të njëjtën ndërtesë me bazilikën e krishterë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se hebrenjtë janë trima për luftë por jo për bashkëjetësë dhe sipas tij, mes shqiptarëve ata ja dolën më së miri të jetonin në mënyrë të shkëlqyer. Rama solli në vëmendje propozimin e ambasadorit amerikan në Tiranë asokohe, Herman Bernstein, për marrëveshjen ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe SHBA për pranimin e 500 familjeve hebreje në Shqipëri. Sipas kryeministrit, Shqipëria ka qenë një shtëpi e dytë për hebrenjtë.
“Më e bukura për hebrenjtë, të paktën sipas dijes sonë që janë trima për luftë por jo për të rënë dakord me njëri-tjetrin. Megjithatë, ata mundën të jetonin në mënyrë të shkëlqyer mes tyre dhe me shqiptarët. Kjo doli të ishte e vërtetë edhe kur grupi i katërt hebre që rrezikonte çrrënjosjen, hebrenjtë ashkenazi, u vendosën në Shqipëri pas nisjes së doktrinës së zgjidhjes përfundimtare. Në vitin 1931, qeveria e Shqipërisë urdhëroi regjistrimin e plotë të popullsisë. Me këtë rast hebrenjve iu njoh e drejta e tyre për bashkësi, duke përfshirë Sabatin. Ky ishte një akt i rrallë në Europën e asaj kohe, ku dominonte antisemitizmi. Në fakt, ishte i vetmi rast. Ndërsa kudo tjetër hebrenjtë po shfarosesin, Shqipëria u dha atyre me ligj barazi etnike dhe fetare njësoj si të gjitha komunitetet e tjera në vend. Konsiderohet të jetë rasti i vetëm i diskriminimit pozitiv për hebrenjtë në ato kohë të errëta. Kjo situatë bindëse inkurajoi ambasadorin amerikan në Tiranë, Herman Bernstein, një figurë qendrore botërore e Sionizmit në vitet 1930, të propozonte një marrëveshje ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për 500 familje hebreje të pranohen në Shqipëri.
Misionarët e Kongresit Botëror Hebre negociuan gjithashtu me qeverinë mbretërore dhe mandatuan misionarin Leo Elton që të vizitonte Tiranën i cili pati bisedime me dy ministra shqiptarë duke rënë dakord me ta që Shqipëria të pranonte masivisht hebrenjtë në rrezik dhe që ata të vendoseshin të lirë në territore për të krijuar vendbanime të ngjashme me kibucin e sotëm. Raporti i misionarit Leo Elton iu dha Rektorit të parë të Universitetit Hebraik, Profesor Judah Leib dhjetë vjet më vonë, ku qëndron edhe sot e kësaj dite. Faktet e pakta që dalin nga ky raport 50 faqesh flasin për të njëjtin model historie nderimi dhe solidariteti reciprok mes shqiptarëve dhe hebrenjve. Siç shkruante disa vite më parë në të përditshmen Haaretz, publicisti hebre Nir Hasson, Shqipëria konsiderohet në këto dokumente sipas Leo Elton një atdhe i dytë dhe shtesë për hebrenjtë”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




