Rama: Paketa e re nuk prek reformën në drejtësi, forcon kontrollin e gjykatës mbi kompetencat e prokurorisë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se paketa e re e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale nuk prek asnjë nga shtyllat e reformës në drejtësi, por synon të forcojë kontrollin gjyqësor mbi mënyrën se si ushtrohen kompetencat e organeve të drejtësisë.
Gjatë prezantimit të paketës, Rama theksoi se prokurorisë nuk i hiqet asnjë kompetencë në fushën e përgjimeve, kontrolleve, sekuestrimeve, hetimit të pasurisë apo bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ai nënvizoi se për veprat penale që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafikun, krimet me armë apo dhunë të rëndë, si dhe çështjet që janë në kompetencë të Gjykatës së Posaçme, do të vijojnë të zbatohen regjime të posaçme.
“Kjo paketë nuk prek asnjë shtyllë të reformës në drejtësi, nuk i heq prokurorisë asnjë kompetencë për të përgjuar, kontrolluar, sekuestruar, hetuar pasurinë apo bashkëpunuar ndërkombëtarisht. Ajo ndryshon mënyrën sesi ushtrohen këto kompetenca dhe forcon atë që na mungon dramatikisht: kontrollin e gjykatës mbi to. Për korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështje të Gjykatës së Posaçme ruajnë regjime të posaçme. Kjo është një zgjedhje e vetëdijshme sepse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të zbutet asesi”, theksoi Rama.
Rama sqaroi gjithashtu se ndryshimet e propozuara nuk do të kenë efekt mbi çështjet e mbyllura. Sipas tij, aktet dhe provat e marra përpara hyrjes në fuqi të paketës do të mbeten të vlefshme.
Ai u ndal edhe te rishikimi i masave të sigurimit që janë aktualisht në fuqi, duke theksuar se kontrolli brenda 60 ditëve nuk përbën amnisti.
“Kjo paket nuk rihap çështje të mbyllura, aktet dhe provat e marra para hyrjes së saj në fuqi mbeten të vlefshme. Rishikimi brenda 60 ditëve të masave të sigurimit që janë në fuqi nuk janë amnisti është kontroll individual nga e njëjta gjykatë, rast pas rasti me të drejta ankimi për palët”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri theksoi se pavarësia e institucioneve të drejtësisë duhet të shoqërohet me respektimin e kufijve ligjorë dhe me arsyetim të qartë të vendimmarrjes.
“Pavarësia e drejtësisë nuk është imunitet nga ligji, kontrolli procedural nuk është ndërhyrje politike, përkundrazi, sa më e pavarur të jetë drejtësia, aq më e larët duhet të jetë drejtësia e arsyetimit të saj dhe aq më aq më i rreptë respektimi i kufijve që i vendos ligji”, bëri me dije kreu i qeverisë.
Rama tha se zbatimi i ndryshimeve do të kërkojë edhe forcimin e kapaciteteve të sistemit të drejtësisë. Ai iu referua vlerësimeve të Këshillit të Europës për kufizimet që ekzistojnë në burime njerëzore, pajisje dhe ekspertizë në gjyqësor, prokurori dhe policinë gjyqësore. Për këtë arsye, sipas kryeministrit, ligji do të parashikojë një periudhë të arsyeshme përpara fillimit të efekteve të tij. Gjatë kësaj periudhe pritet të zhvillohet trajnimi i gjyqtarëve, prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe avokatëve, si dhe të miratohen aktet e nevojshme zbatuese.
“Këshilli i Europës na e ka lënë të shkruar se pesha e këtyre garancive bie mbi një gjyqësor, një prokurori dhe polici gjyqësore që kanë kufizime në njerëz, pajisje dhe ekspertizë.. Regjistrimi me zë dhe figurë, kontrolli i provës digjitale, mbikëqyrja elektronike dhe ruajtja e të dhënave kërkojnë infrastrukturë, financim, trajnim. Prandaj ligji do të ketë një periudhë të arsyeshme përpara fillimit të efekteve të tij që do të shoqërohet me trajnimin e gjyqtarëve, prokurorëve oficerëve të policisë gjyqësore dhe avokatëve me aktet e nevojshëm zbatuese dhe mbështetjen buxhetore të Ministrisë së Drejtësisë për pajisjet dhe kapacitete e reja”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




