Rama: Prefektët do të kenë më shumë pushtet, si zëvendësministra të qeverisë. Shqipëria nis prodhimin e mjeteve për Emergjencat Civile
Në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij u ndal te pushteti vendor dhe roli i prefektëve në strukturën e re të qeverisjes. Ai deklaroi se është përgatitur një projekt i ri, ku prefektët nuk do të jenë thjesht persona që firmosin vendimet e këshillave bashkiakë apo refuzojnë të nënshkruajnë vendimet e kryetarëve të bashkive, por do të marrin një rol të zgjeruar.
“Prefektët do të jenë 12 zëvendësministra të brendshëm në territor, si mbështetës shumë të rëndësishëm të qeverisë dhe komunitetit, në funksion të qeverisë dhe komunitetit në funksion të nevojave që ata kanë,” tha Rama.
Ai foli edhe për fuqizimin e emergjencave civile, duke theksuar se Shqipëria ka filluar të prodhojë flotën e zjarrfikësve brenda vendit, përmes kompanisë publike të ngritur pak kohë më parë. “Jo vetëm zjarrfikësit, por të gjitha makinat e inspektimeve do t’i prodhojmë në Shqipëri. Jo në 2035, por kemi filluar hap pas hapi t’i prodhojmë këtu,” u shpreh kryeministri.
Rama shtoi se Ministria e Mbrojtjes ka akorduar një fond që do t’i vihet në dispozicion bashkive për emergjencat civile, duke i pajisur me mjete të reja. Ai nënvizoi se është ndërtuar një strukturë e re për menaxhimin e pasojave të emergjencave, ku përfshihet Agjencia e Mbrojtjes Civile, e cila do të bashkëpunojë me Ministrinë e Bujqësisë dhe bashkitë për ndërhyrje infrastrukturore.
“Janë të gjitha punë që po bëjmë,” tha Rama, duke e paraqitur këtë si pjesë të vizionit të qeverisë për forcimin e pushtetit vendor dhe rritjen e kapaciteteve të emergjencave civile në vend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




