Rama pret Presidentin gjerman në Kryeministri: Mbështetja e Gjermanisë, thelbësore

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier u takua me kryeministrin Edi Rama pasditen e kësaj të enjte, teksa zhvilloi një vizitë në Kryeministri. Kreu i qeverisë Shqiptare falënderoi Gjermanin për mbështetjen, duke e konsideruar “thelbësore” për Shqipërinë.
“Jemi shumë mirënjohës ndaj Gjermanisë për çdo gjë që qeveritë e njëpasnjëshme gjermane kanë bërë për këtë marrëdhënie që është në nivelin e saj më të mirë. Sigurisht që duam të bëjmë më shumë, por deri tani mbështetja e Gjermanisë në të gjitha frontet ka qenë shumë thelbësore për ne”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Presidenti gjerman u ndal te anëtarësimi në BE, duke e konsideruar nisjen e negociatave “një gur themeli” për Shqipërinë. Steinmeier theksoi se Europa duhet të jetë e hapur për zgjerimin e nevojshëm drejt Ballkanit Perëndimor, duke shprehur optimist se edhe qeveritë skeptike janë të bindura se zgjerimi duhet të përshpejtohet.
“Kemi diskutuar shumë herë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Europës, por përgëzime që keni arritur një gurë të rëndësishëm themeli me nisjen e negociatave për anëtarësim dhe kjo është një gjë që mendoj se e keni arritur i mbështetur nga pjesa më e madhe e elitës politike në Shqipëri dhe që kjo do të inkurajojë marrjen e e hapave të mëtejshëm që janë të rëndësishëm në rrugën drejt Europës. Kemi folur për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, mendoj se progresi është i nevojshëm, por është i mundur dhe përshtypja ime në parlament është që jam shpresëplotë që ndihen të inkurajuar në javët e fundit me hapjen e negociatave dhe progres domethënës në Procesin e Berlinit. Jetojmë në kohë të vështira. Sapo po diskutonim për pasojat e luftës ruse kundër Ukrainës në ekonomitë tona. Jemi në një situatë ndryshe dhe jam i bindur se na duhet ta konsiderojmë që Europa jo vetëm duhet të tregojë vendosmëri dhe bashkim, por duhet të jetë e hapur për zgjerimin e nevojshëm drejt Ballkanit Perëndimor. Jam shumë optimist, e di që ka një lloj pengese për shkak të pritjes deri sa anëtarësimi të formalizohet, por përshtypja ime është që edhe qeveritë skeptike janë të bindura se duhet ta përshpejtojmë zgjerimin”, tha Steinmeier.
Presidenti gjerman ka mbërritur në Shqipëri mëngjesin e kësaj të enjte, ndërsa u prit në një ceremoni zyrtare nga Presidenti Begaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



