Rama pret sipërmarrësit nga Kosova: Të thellojmë potencialin e përbashkët ekonomik

Ekonomi | 4 vite më parë

Zhvillimi i potencialit ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës ishte në fokus të bisedimeve gjatë takimit që kryeministri Edi Rama zhvilloi me biznesin nga Kosova. Pritja u bë në Pallatin e Brigadave në shenjë falenderimi për pritjen e rezervuar nga ana e biznesit nga Kosova gjatë vizitës së kryeministrit Rama dhe të disa ministrave të kabinetit qeveritar zhvilluan para pak javësh në Prishtinë.

Rama kërkoi nga ata që të investojë në Shqipëri. Kryeministri theksoi se investimet e huaja janë të rëndësishme, por shtoi se Shqipëria ka nevojë për kampionët e saj.

“ Ne nuk kemi ku shkojmë pa sipërmarrësit dhe pa sipërmarrjen përveçse në greminë, por në atë greminë ka qenë më parë Shqipëria dhe askush realisht nuk ka nostalgji për atë greminë kështu që siç thonë fjalët e urta të popullit, një ndër të cilat është: “qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara”, ne do të bëjmë çmos që të vazhdojmë të shkojmë përpara. Unë dua me gjithë zemër që ju sipërmarrësit e Kosovës dhe jo vetëm ju që jeni këtu, por edhe ata që s’janë këtu sot, Shqipërinë ta konsiderojnë shtëpinë e tyre jo thjeshtë për arsye atdhetarie apo për arsye historie, po për arsye pune, për arsye të zgjerimit të aktivitetit të tyre sepse Shqipërisë i duhen kampionë në sipërmarrje, të cilët me dijet e fituara në gjithë këto vite, me eksperiencën e fituar në gjithë këto vite, me aftësinë e tyre konkurruese jo thjeshte brenda tregut vendas por edhe në tregjet ndërkombëtare, i kanë sot mundësitë që të marrin përsipër gjëra shumë të mëdha”, tha Rama.

Teksa përmendi shembuj suksesi të biznesmenëve në Kosovë, Rama tha se duhen krijuar mundësi të reja që biznesi shqiptar të hyjë në tregun ndërkombëtarë.

“Në fabrikën ku ne ishim të gjithë bashkë te Shkëlqimi dhe Shkëlqimi fatmirësisht nuk është i vetëm në tregun e Kosovës, jeni dhe ju të tjerët, pavarësisht niveleve të madhësisë aty është një fabrikë e cila mund të ndodhet në çdo vend të botës, që nga Amerika deri në Angli, Gjermani, në Australi dhe faktikisht aty nuk prodhohet thjeshtë për aq sa zë një treg tanimë shumë i vogël për Shkëlqimin, prodhohet për tregun amerikan, prodhohet për tregun gjerman, prodhohet për tregje evropiane dhe në një territor konkurrencë të jashtëzakonshme se nuk kanë prit Shkëlqim Devollin, as Amerika as Gjermania, as në Francë, që të mendojnë që të flenë rehat. Janë marrë me dyshekët kur të parët e Shkëlqim Devollit rriteshin në djep druri. Mirëpo ja që vjen Shkëlqim Devolli nga Kosova edhe bëhet personazh në tregun ndërkombëtar dhe krijon një vlerë të shtuar që është një shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë ne, se çfarë mund të bëjnë shqiptarët kur i krijohen mundësitë dhe këto mundësi që janë nuk mjaftojnë, duhet të krijojmë mundësi të reja dhe për këtë jemi këtu”, tha Rama.

Pritja e sotme i parapriu një takimi të përbashkët frytdhënës, dëgjesë dhe diskutim për thellimin e dialogut mbi potencialin e përbashkët ekonomik dhe hapësirat e investimit në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme