Rama publikon të dhënat e OKB për zhvillimin dixhital të vendeve anëtare: Shqipëria e teta në Europë

Politikë | 4 vite më parë

Shqipëria është renditur në vendin e tetë në Europë dhe të nëntëmbëdhjetin në botë për zhvillimin digjital, në raportin e hartuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook raportin, teksa shkruan se Shqipëria e sporteleve me hekura, tashmë i përket së shkuarës.

“Lajm shumë i mirë. Këto tabela janë nxjerr nga Raporti i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Digjital të vendeve anëtare. Shqipëria renditet e 8-ta në Europë dhe e 19-ta në botë për Shërbimet Publike Online, një lajm shumë i bukur për t’u përcjellë nga kanalet e nga portalet që nxijnë përditë nga balta e gjysmë të vërtetave, sajesave, akuzave, sharjeve e banaliteteve gjithëfarësoj. Por më e rëndësishme akoma, një lajm për të vërtetën e madhe dhe të mohuar masivisht, se Shqipëria e sporteleve me hekura, e turmave nëpër radha për të marrë një copë letër, e bakshisheve për çdo shërbim në sportel i takon të shkuarës”, shkruan Rama.

Teksa pranon se ka ende punë për të bërë kundër korrupsionit dhe forcimit të administratës, kreu i qeverisë thekson se megjithatë, për 95% të shërbimeve publike, vendi ynë e ka zhdukur korrupsionin.

“Ka ende shumë për të bërë kundër korrupsionit dhe për forcimin e administratës, po ama për 1225 shërbime publike (95% e gjithë shërbimeve) vendi ynë e ka zhdukur korrupsionin, duke u ngjitur në pozicione që deri para disa vitesh as mund të imagjinoheshin, nga fundi i pusit ku e nisëm rrugën e Revolucionit Digjital”, thotë kryeministri.

Rama ndalet edhe te sulmet kibernetike të Iranit, ndërsa i drejtohet kritikëve duke thënë se ai sulm erdhi përkatësisht për shkak të zhvillimit të Shqipërisë sa i përket dixhitalizimit dhe se dështoi prej investimeve të duhura të ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim.

“Shumëkush flet përçart për sulmin kibernetik mbi Shqipërinë, duke harruar dy fakte të thjeshta, e para se jemi sulmuar pikërisht ngaqë jemi zhvilluar (po të ishim akoma me sportele në shi e në diell, s’do na sulmonin dot) dhe e dyta, se sulmi ka dështuar pikërisht sepse kemi investuar si duhet, duke bërë shumë me pak, e duke u renditur ndër vendet më të zhvilluara për shërbimet publike online”, përfundon Rama postimin e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme