Rama: Rijetëzimi i monumenteve të kulturës në funksion të ekonomisë familjare e turizmit!

Kryeministri Edi Rama ka mbështetur një plan rijetëzimi të monumenteve të kulturës në funksion të ekonomisë familjare dhe turizmit.
Këtë Zoti Rama e bëri të ditur gjatë prezantimit të projekti për restaurimin e Muzeut Etnografik të Krujës, si dhe dhënies së grantit të Bashkimit Evropian për banorët dhe Bonusit të Rijetëzimit të shtëpive të vjetra.
Kryeministri Rama vuri në dukje se “këto burime plotësohen dhe harmonizohen për të stimuluar ekonominë familjare të atyre që kanë trashëguar banesa në zonat historike, që kanë trashëguar banesa me vlera të trashëgimisë kulturore”. “Qeveria do të financojë projektet e tyre dhe ata do të përfitojnë nga grandet e qeverisë dhe Komisionit Evropian, për të transferuar banesat e vjetra e shpesh të pabanuara në një hapësirë të një aktiviteti ekonomik, që do të krijojnë vetëpunësim, punësim dhe ekonomi për familjet, por edhe vlerë të shtuar për turizmin dhe ekonominë e zonës”.
Zoti Rama ftoi banorët e Krujës, Beratit, Gjirokastrës dhe Shkodrës, kudo ku ka të tilla vlera të përfshihen në projekte të tilla.
Shpallja e thirrjes, “Rikrijimi i së shkuarës, të ndërtojmë të ardhmen”, në vlerën e rreth 350 mijë euro, është pjesë e një skeme granti prej 1.3 milionë euro, që do t’u jepet atyre subjekteve që operojnë në sektorin e kulturës dhe krijimit, gjatë viteve 2022-2024.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




