Rama takon fermerët e Bulqizës: Shqipëria merr më shumë fonde nga BE se të gjitha vendet e rajonit

Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me njerëzit e punës te tregu i ri i produkteve bujqësore e blegtorale, ka deklaruar se zhvillimi i fshatrave në Shqipëri është ndryshe nga si paraqitet në media. Kjo pasi, sipas kryeministrit, në media po shpërndahen sajesa e manipulime. Dezinformimin, kreu i qeverisë e lidh me mënyrën e të bërit politikë, duke sulmuar opozitën që sipas tij gënjen e akuzon pa fakte.
“Do përmend disa të dhëna nga zona sepse është e jashtëzakonshme puna juaj dhe të dhënat e kësaj zone për të cilën askush përveç jush dhe nesh që e kemi për shkak të detyrës, nuk di gjë. Po të pyesësh njerëz që nuk jetojnë këtu dhe që nuk kanë lidhje fare me këtë zonë, por që e ndjekin jetën shqiptare dhe ekonominë , punën, fshatin nga televizori, me siguri do thonë që në Bulqizë ka vetëm ca skllevër që mbledhin krom nëpër kodra.
Sepse ky është realiteti i televizorit. Dhe fatkeqësisht gjithmonë e më shumë, televizori po bëhet vendi nga ku shpërndahen gënjeshtra, sajesa, fabrikime, manipulime dhe helm. Faktikisht këtu në këtë zonë, ne kemi 1144 hektarë të mbjellë me drithëra, kemi 136 hektarë të mbjellë me perime, 160 hektarë të mbjellë me patate, 34 hektarë me fasule, 266 hektarë me pemtore, 35 hektar me vreshta. Dhe kemi 146,754 rrënjë mollë, kumbull, dardhë, rrush, qershi, arra, lajthi, që zënë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe ku është investuar dhe po vazhdon të investohet dhe ku do të investojmë edhe me financimet, krerëve, gjedhëve, etj.. Faktet e Shqipërisë në fshat janë komplet ndryshe nga çfarë njerëzit që nuk e jetojnë fshatin përditë, dinë. Dhe për fat të keq gjithë ajo që thuhet për fshatin, jo vetëm që krijon idenë që fshati është në mjerim, që s’ka bukë për të ngrënë dhe nuk inkurajon të rinjtë që të merren me punët në fshat, por kjo është koha që po jetojmë. Gjithsecili duhet të kujdes se nga informohet dhe të mos përdoret nga keqinformimi, dezinformomi, që për fat të keq janë pjesë e mënyrës së të bërit politikë në këtë vend. Një pjesë e atyre që bëjnë politikë nuk pushojnë së helmuari njerëzit, nuk pushojnë së gënjyeri, së shpifuri me sharje, akuza, me fjalë që vetëm na largojnë nga traditat, doket dhe zakonet që është mirë ti respektojmë”, tha Rama.
Kryeministri ka përgëzuar më tej punën e bërë nga Kryebashkiaku që sipas tij ka kuptuar më së miri reformën territoriale.
“Besoj që kryebashkiaku meriton të përgëzohet për faktin se është ndër të paktët që ka kuptuar se jo vetëm me reformën territoriale bashkia nuk është më vetëm qyteti, por bashkia në raport me fshatin nuk mund të jetë më vetëm një autoritet që merret vetëm me rrugë, ujësjellës, kanalizime, pastrime, por duhet të futet më thelë, në bashkëpunimin për grumbullimin dhe shitjen e prodhimit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal dhe te problematika me tokat, duke theksuar se Shqipëria merr më shumë fonde nga BE se të gjitha vendet e rajonit. Por këto fonde, shtoi kryeministri, nuk merren dot nga fermerët dhe blegtorët pa dokumentacionet e duhura dhe për këtë problematikë dha zgjidhjen. Rama tha se qeveria do të lehtësojë fermerët për pajisjen me dokumentacionin e duhur për pronësitë e tokës.
“Pika tjetër që u ngrit që ka të bëjë me tokën. Fondet e BE që ne marrim dhe kemi marrë më shumë fonde nga BE se të gjitha vendet e rajonit. Sepse kemi ndryshuar mënyrën e funksionimit të agjencisë së zhvillimit bujqësor dhe rural. Me këto fonde ne nuk financojmë dot subjekte që mund të jenë real dhe që kanë prodhim por nuk kanë letrat e pronësisë.
Ashtu sikundër, shpesh herë letrat e pronësisë në fshat bëhen shkak që të mos mund të financohen edhe sipërmarrjet e kësaj natyre, si pwrshembull një pikë grumbullimi, një stallë. Nëse vjen një kërkesë për të financuar një garo-turizëm, është toka e gjyshit dhe s’ka letra se nuk është bërë ndarja, ata e kanë tokën e kanë pa konflikt, fshati e njeh shumë mirë se ku mbaron toka e njërit dhe tjetrit, por s’marrin dot letrat. Zgjidhja që ne do i japim tani, nëse vjen dikush dhe thotë që ne këtu do ndërtojmë një pikë grumbullimi, ne do t’ja regjistrojmë atë copë toke që është për këtë aktivitet me barrën që nëse shfaqet një problem x, këtë problem do e ketë më shtetin, jo më personi. Dhe kështu jemi në rregull. Kjo është mundësi teorike, sepse këto toka janë toka që nuk kanë konflikte”, tha kryeministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




