Rama, Vuçiç dhe Zaev optimistë për të ardhmen e “Open Balkan”

Kryeministri Edi Rama, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kanë dalë të martën në një konferencë të përbashkët për mediat duke përsëritur vazhdimisht refrenit se Ballkani nuk duhet të ketë kufij. Pas samiti “Open Balkan” të mbajtur në Tiranë, fjalori i tyre kishte më shumë doza optimiste miqësie dhe besimi se bashkëpunimi mes tre vendeve do të thellohet më tej në të ardhmen. Në këtë frymë ata ju drejtuan ftesë bashkëpunimi edhe vendeve te tjera ballkanike, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.
Të tre udhëheqësit vlerësuan se pesë marrëveshjet e nënshkruara në Tiranë janë finalizim i një pune intensive dhe kanë një realitet të prekshëm.
“Marrëveshjet e firmosura sot janë prova e prekshme e një fakti shumë të thjeshtë që Ballkani i Hapur është një nismë që shtyn përpara çka është diskutuar, stërdiskutuar në Procesin e Berlinit, çka është diskutuar në samitet e këtij procesi dhe asnjëherë nuk është realizuar. Ballkani i Hapur është një njësi zbatimi e Procesit të Berlinit dhe njësi realizimi e tregut të përbashkët rajonal. Kjo është arsyeja pse i jemi bashkuar kësaj nisme. Kjo është arsyeja pse e kemi shpallur një nismë gjithpërfshirëse që ditën e parë. Kjo është arsyeja pse nuk ngurrojmë të tre palët e tjera të tjera të rajonit të na bashkohen. Sot po ashtu besoj, ishte e qartë, e thënë drejtpërsëdrejti nga Komisioneri europian për Zgjerimin që KE e mbështet plotësisht Ballkanin e Hapur dhe fton 3 vendet e tjera t’i bashkohen. Nëse e vutë re, Komisioneri nënvizoi me keqardhje dështimin e tregut të përbashkët si një proces që u ndërtua bazua tek konsensusi. Ne duam të ecim sa më shpejt të jetë e mundur dhe jemi të vetëdijshëm se kjo ecje sa më shpejt të jetë e mundur mund të realizohet vetëm nëse marrim vetë në dorë fatin tonë këtu në rajonin tonë. Duke e mbyllur këtë hyrje dhe duke nënvizuar se nisma po merr formë në impakt në jetën dhe punën e qytetarëve dhe për këtë mbështetja për nismën qoftë nga administrata amerikane, qoftë nga komisioni dhe një sërë vende të Be vjen dhe s’do të vazhdojë të rritet si pasojë se nisma është shumë e qartë. Ta bëjmë rajonin tonë një hapësirë ku funksionojnë për qytetarët të katër liritë e Be, liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve”, tha kryeministri shqiptar Edi Rama.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u shpreh qartë se nisma “Ballkani i Hapur” nuk ka lidhje me Serbinë e Madhe apo me Shqipërinë e Madhe. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama dhe kryeministrin Zaev, Vuçiç u shpreh se ai kërkon të ndihet si në shtëpinë e tij kur vjen në Shqipëri, ashtu sikundër edhe shqiptarët duhet të ndihen si në shtëpinë e tyre kur shkojnë në Serbi apo Maqedoninë e Veriut.
Vuçiç u shpreh se këto që po bëjnë tre vendet pjesë e kësaj nisme janë punë konkrete. Ai deklaroi se ndonjëherë mërzitet me veten e tij sepse, siç u shpreh “ne vazhdojmë ti bëjmë thirrje homologëve tanë sikur nuk do ekzistonim dot pa ta”. “Dua të falenderoj mikun tonë Edi Ramën për mikpritjen në Shqipëri. Dua të them që jam shumë i lumtur për ato marrëveshje. Ky është kurorëzimi i një pune prej dy vite e gjysmë. Në saj të këmbënguljes tonë ne kemi arritur që gjerat të ecnin dhe qytetarët e vendeve tona të shohin përfitime. Kur erdha në Shqipëri pashë që Ramës iu kundërvunë për këtë nismë, për ata që thonë se duan një serbi të madhe, apo Shqipëri të madhe. Kjo nuk ka të bëjë me asnjërën prej këtyre, as me Maqedoninë e Madhe. Duke folur për këto gjëra ne nuk do të bëjmë asgjë për të ardhmen. Ne duam të shikojmë më shumë turistë nga Shqipëria, por edhe ju të keni turistë në bregdetin e bukur shqiptar. Kjo punë që ne po bëjmë ka të bëjë me rezultate të prekshme. Duke ardhur sot në Tiranë dua të shpreh respektin tim për qytetarët e Shqipërisë dhe dua t’ju mirëpresim në Serbi dhe ta shikoni Serbinë si një shtëpi të dytë, sepse edhe ne kështu duam të ndihemi kur vijnë në Shqipëri apo shkojmë në Maqedoninë e Veriut. Ndonjëherë mërzitem me veten time sepse ne vazhdojmë ti bëjmë thirrje homologëve tanë sikur nuk do ekzistonim dot pa ta. Ne nuk kemi turp për rajonin ku jemi. Ne do ti sjellim më shumë të mira qytetarëve tanë”, tha presodenti Aleksandar Vuçiç.
Samiti “Open Balkan” i Tiranë është i fundit për Zoran Zaev si kryeministër. Zaev u shpreh se së bashku me dy homologët e tij, të cilët i konsideron miq dhe vëllezër, kanë nxjerrë në pah faktin se Ballkani i Hapur është proces autentik gjithëpërfshirës që ka nisur nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Po ashtu, Zaev i bëri ftesë vendeve të tjera që nuk janë bërë ende pjesë e nismës.
“Kjo është dita ime e fundit në detyrë si kryeministër i RMV. Nder që marr pjesë drejtpërdrejtë dhe kontribuoj në zbatimin e misionit fisnik të Ballkanit të Hapur si nismë. Qysh prej fillimit të nismë, unë dhe kolegët e mi, miqtë dhe vëllezërit e mi, Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama kemi nxjerrë në pah faktin që Ballkani i Hapur është një proces autentik gjithëpërfshirës që ka nisur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia dhe është i hapur për të gjitha vendet e rajonit. Të gjitha vendet që kanë mbetur në rajon kanë një ftesë të hapur, të qartë dhe të pa ekuivok për t’u bërë pjesë.
Ne lidhemi me qëllimin e qartë që njerëzit tanë të ndjejnë përfitime të drejtpërdrejta ekonomike nga ato që lehtësojmë këtu. Kjo shënon dhe hapa të mëtejshëm për evropianizimin e vendeve tona dhe zbatimin e këtyre praktikave në vendet tona sepse jemi Evropë. Kur Vuçiçi dhe Rama së bashku me mua, skicuam vizionin e Ballkanit të Hapur ramë dakord që të mos lejojmë mbizotërimin e euroskepticizmit në vendet tona për shkak të dështimit të politikave evropian. Vlerat dhe idealet europiane do të jenë gjithmonë më të mëdha, gjithmonë e më tërheqëse se sa administrata evropiane. Ballkani i Hapur është një kontribut i vlerave dhe idealeve të BE-së. Ne kemi për detyrë të ndërmarrim nisma që evropianizojnë rajonin dhe sjellin një jetë më të mirë dhe më evropiane për vendet tona. Për kaq kohë kemi theksuar që Ballkani i Hapur nuk është zëvendësues i BE, por lehtësues i idesë europiane në Ballkan. Ballkani është Evropë dhe asgjë më pak se kaq”, tha Zoran Zaev.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




