Rana e Hedhun, “magnet” për pushuesit, turistët e huaj zgjedhin ta vizitojnë me kampera
Rana e Hedhun në Shëngjin tërheq çdo vit turistë të huaj, të cilët e zgjedhin këtë destinacion jo vetëm për plazhin, por edhe për peizazhin e veçantë, ku deti bashkohet me malin. Vizitorë nga vende të ndryshme të botës mbërrijnë me kampera, në kërkim të një eksperience ndryshe, larg destinacioneve të mbipopulluara. Natyra e virgjër, qetësia dhe mundësitë për aktivitete të ndryshme sportive e rekreative janë ndër arsyet kryesore që i sjellin ata në këtë pjesë të bregdetit të Lezhës.
“Na pëlqen shumë deti dhe natyra. Është shumë bukur kur shikon edhe malet pranë. Këtu janë të gjitha kushtet për të qëndruar me kampera dhe për ta shijuar këtë vend. Këtu kanë ardhur edhe shumë miq të tjerë gjermanë”, u shpreh një turist.
“Na pëlqen shumë ky vend. Jemi nga Austria. Gjithçka është shumë bukur, si deti, ashtu edhe natyra”, tha një turist tjetër.
Një tjetër element që lë gjurmë te turistët është mikpritja e banorëve vendas, duke i bërë vizitorët të ndihen si në shtëpinë e tyre.
“Vij këtu çdo vit që nga viti 2021. Më duket si shtëpia ime. Kjo edhe për shkak të mikpritjes që gjejmë këtu, duke na e bërë qëndrimin edhe më familjar”, tha një turiste.
E vendosur mes detit dhe malit, Rana e Hedhun mbetet një prej destinacioneve më të zgjedhura turistike të bregdetit të Lezhës, duke fituar gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




