Raporti ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore diskuton me studentë të Shkodrës sfidat e tregut të punës

Arsim | 5 muaj më parë

Ekipi i Bankës Botërore në Shqipëri zhvilloi një vizitë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku u organizua një bashkëbisedim me studentët dhe stafin akademik. Pjesë e delegacionit, Massimiliano Paolucci, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor. Në fokus të diskutimeve ishin performanca ekonomike e Shqipërisë, tregu i punës, inflacioni dhe zhvillimet në sektorin financiar.

 “Ky është një raport që ne e përgatisim çdo gjashtë muaj dhe ai jep një përshkrim të situatës ekonomike të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve specifike të rajonit. Gjithashtu tregon se ku po shkon ekonomia, cilat janë burimet e stresit dhe tensioneve, por edhe cilat janë mundësitë që ekonomitë të rriten më tej dhe në një mënyrë më të balancuar. Pra, mundësia për studentët është në thelb që të dëgjojnë drejtpërdrejt përshkrimin dhe analizën e ekonomistëve tanë dhe ta zbatojnë këtë, shpresojmë, në studimet e tyre të përditshme”, u shpreh Paolucci, Menaxher, Banka Botërore në Shqipëri.

Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet vështirësive që hasin të rinjtë në kalimin nga arsimi në tregun e punës. Raporti evidenton se papunësia e të rinjve mbetet e lartë në gjithë rajonin, ndërsa një pjesë e madhe e të diplomuarve e nisin karrierën në pozicione nën nivelin e kualifikimit. Po ashtu, emigrimi po shihet alternativë ndaj punësimit në vend.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore theksuan se sfida nuk lidhet me mungesën e arsimit, por me lidhjen mes universiteteve dhe tregut të punës. Në këtë drejtim, raporti rekomandon më shumë praktika profesionale, bashkëpunime me bizneset, orientim drejt karrierës dhe zhvillimin e aftësive teknike, digjitale dhe analitike që kërkon tregu aktual.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme