Raporti për sulmin në Kapitol: Trump nxiti dhunën, ushtroi presion ndaj atyre që dëshmuan kundër tij! Të ndiqet penalisht

Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi të enjten raportin e tij përfundimtar mbi sulmin e paimagjinueshëm më 6 janar 2021 në Kapitolin e SHBA. Dhuna dhe sulmi i turmës së mbështetësve të presidentit të mundur, Donald Trump, tronditi SHBA dhe ekspozoi brishtësinë e demokracisë amerikane.
Raporti prej 814 faqesh përshkruan 11 rekomandime që Kongresi dhe të tjerët të marrin në konsideratë për të forcuar institucionet e vendit kundër çdo përpjekjeje të ardhshme për të nxitur kryengritje të tilla.
Në raporti janë me transkriptet e më shumë se 1000 dëshmitarëve që zbuluan detaje të reja befasuese
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara të nxitë një turmë të marshojë në Kapitol dhe të pengojë punën e Kongresit nuk është një skenar që komunitetet tona të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit parashikojnë për këtë vend. Para 6 janarit, ky akt ishte i paimagjinueshëm”, tha kryetari i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve, Bennie Thompson.
Raporti përshkruan fillimin dhe përfundimin e sulmit të turmës, detajon se si Trump dhe aleatët e tij u angazhuan në një skemë për të përmbysur fitoren e zgjedhjeve presidenciale të Joe Biden dhe deri tek thirrja ndaj mbështetësve të tij që të “luftonin si të ishin në ferr”.
Raporti dhe materialet e tij shoqëruese ofrojnë përshkrime më të detajuara të aspekteve kryesore të planit të ekipit Trump për të përmbysur zgjedhjet, për t’u bashkuar me turmën në Kapitol por edhe presionet që Trump ushtroi ndaj atyre që do të dëshmonin kundër tij pas nisjeve të hetimeve nga Kongresi.
“Trump dhe rrethi i tij i brendshëm u angazhuan në të paktën 200 akte të dukshme të kontaktit publik ose privat, presionit ose dënimit, duke synuar ligjvënësit ose administratorë të zgjedhjeve shtetërore ose vendore, për të rrëzuar rezultatet e zgjedhjeve shtetërore”, thuhet në raport.
Një punonjës i Shërbimit Sekret i dëshmoi komitetit se vendosmëria e Trump për të shkuar në Kapitol i vuri agjentët në gatishmëri të lartë.
“Ne të gjithë e dinim se kjo do të kalonte në diçka tjetër nëse ai do të shkonte fizikisht në Kapitol. Nuk e di nëse doni të përdorni fjalën “kryengritje”, “grusht shteti”, çfarëdo qoftë. Të gjithë e dinim se kjo do të kalonte nga një ngjarje normale në diçka tjetër”, tha një punonjës i paidentifikuar.
Raporti bën 11 rekomandime për Kongresin dhe të tjerët për të mbrojtur demokracinë amerikane dhe traditën e saj të transferimit paqësor të pushtetit presidencial nga një lider tek tjetri.
Komiteti gjithashtu i bëri rekomandime Departamentit të Drejtësisë për të ndjekur penalisht Trump dhe të tjerët për komplot për të kryer mashtrime ndaj publikut dhe akuza të tjera të mundshme. Ai gjithashtu e dërgoi ish-presidentin për ndjekje penale për “ofrimin e ndihmës për një kryengritje”.
Një tjetër rekomandim është që Kongresi të krijojë një mekanizëm formal për të konsideruar ndalimin e kandidimit të individëve nga postet publike nëse përfshihen në kryengritje ose rebelim sipas Amendamentit të Katërmbëdhjetë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



