Raportimet për sulm me raketa ruse në Poloni, Rama: Shqipëria, seriozisht e shqetësuar

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me raportimet se raketa ruse kanë sulmuar Poloninë, në kufirin me Ukrainën.
Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë i drejtohet me një mesazh kryeministrit Polak, Mateusz Morawiecki, duke shkruar se Shqipëria është seriozisht e shqetësuar në lidhje me këto lajme. Po ashtu, Rama shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e Shqipërisë për Poloninë.
“Mateusz Morawiecki, Shqipëria është seriozisht e shqetësuar për lajmet mbi shpërthimet në Poloni. Ju keni solidaritetin dhe mbështetjen tonë”, shkruan Rama.
Dy persona raportohet se janë vrarë në Poloni si pasojë e raketave ruse, lajm që është konfirmuar edhe nga autoritete polake, po pa specifikuar që sulmi erdhi nga Rusia. Byroja e Sigurisë Kombëtare e Polonisë është mbledhur në një seancë urgjente dhe pritet të japë një deklaratë.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi raportet, duke i konsideruar një “provokim të qëllimshëm që synon përshkallëzimin”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




