Raundi i dytë për presidentin e ri më 23 maj! Balla: Mblidhemi të dalim me një emër! Alibeaj: Gati, por jo proces farsë

Politikë | 4 vite më parë

Konferenca e Kryetarëve është sot mbledhur për zgjedhjen e presidentit për caktimin e datës për raundin e dytë, i cili duhet të jetë brenda 7 ditësh nga raundi i parë, pra deri më 24 maj.

Në konferencën e Kryetarëve u vendos data 23 maj ora 18:00 për mbajtjen e raundit të dytë për presidentin e ri, propozim i Kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Afati për depozitimin e kandidaturave në Kuvend do të jetë dita e dielë, data 22 maj, deri në orën 16:00, ndërsa mbledhja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve për shqyrtimin e kandidaturave do të mbahet në datë 23 maj ora 10:00.

Kryetari i grupit socialist Taulant Balla në fjalën e tij, kërkoi nga opozita që të ulen dhe të diskutojnë mbi kriteret për zgjedhjen e Presidentit. Balla bëri me dije se deri ditën e diel në orën 16:00 duhet të jenë depozituar kandidaturat ndërsa ditën e hënë në orën 10 do të mbahet mbledhja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve.

“Si gjithmonë, sipas rregullores së Kuvendit për thirrjen e raundit të dytë. Me propozim të Alibeajt për të marrë afatin maksimal, të përllogaritur nga dita e djeshme propozoj që raundit i dytë të zhvillohet ditën e hënë datë 23 maj ora 18:00.

Kemi marrë një letër nga ju z.Alibeaj dhe po jua them, doni ta diskutojmë dokumentin këtu? Keni sjellë ca ide, unë ju ktheva përgjigje publike, të drejtën grupit parlamentar të PS për të propozuar emra nuk mund ta vini dot kusht. Kam një muaj që ju bëj thirrje publike, të vini të ulemi. Ka pasur disa propozime me vlerë edhe me znj.Doda dhe z.Mediu.  Kur të ulemi në tryezë ti thua nuk jap emra se do tallesh me emrat e mi? Të jetë diametrikisht i kundërt me ç’ka bërë Ilir Meta në presidencë, ky është kushti jonë. Afati përfundimtar është data 23 me konsensus. Nuk shkon më përtej.

Ne kemi përcaktuar një grup tresh. Hajde ta mbyllim. Doni pak kohë? E lëmë pasdite, nesër në mëngjes, nesër pasdite? Ulemi diskutojmë çdo propozim, e fillojmë nga kriteret? Më mirë një proces që duhet të çojë te emrat sa më shpejt. Kemi hyrë në numërimin mbrapsht, në datë 30 është afati maksimal nëse nuk zgjidhet data 23. Ditën e diel deri në orën 16:00 të jenë depozituar kandidaturat, të hënë në orën 10 të mblidhet komisioni i ligjeve”, tha Balla.

Kryetari i grupit parlamentar “Aleanca për ndryshim”, Fatmir Mediu u shpreh se për zgjedhjen e një presidenti mbi palët duhet që të mos shkohet në seanca boshe pa kandidatë në Kuvend. Mediu theksoi se ose do mbahet qëndrim për të shkruar në një proces me kandidatë të propozuar nga opozita, ose do vendosin ndërprerjen e seancës.

“Të bëjmë seanca me kandidatura konkrete. Me kandidatura të propozuar nga opozita, për një president që të qëndrojë mbi palët dhe sjell një qasje të re. Nëse do shkojmë në seanca bosh pa kandidatë në Kuvend, personalisht por besoj dhe opozita, duhet të mos bëhemi pjesa e një procesi fasadë dhe farsë dhe të shkojmë te raundi i 4-5 që të veprohet me mazhorancë të thjeshtë. Ose do mbajmë një qëndrim për të shkuar me kandidatë të propozuar nga ne, ose të vendosim ndërprerjen e seancës në këtë proces. Kam bindjen se ajo që duhet të zgjedhim të propozojmë kandidatura e opozitës pavarësisht nga sjellja e mazhorancës”, u shpreh Mediu.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj vë theksin te kriteret që duhen përcaktuar për presidentin e ri. Sipas Alibeajt, duhet të instalohet një proces që del jashtë interesave mazhorancë-opozitë, dhe të jetë Presidenti i shqiptarëve.

“Në një situatë të tillë që mazhoranca i ka të vjedhura mandatet për ta zgjedhur në raund të 4 dhe të 5 do na duhet ne të tjerëve të ruajmë dinjitetin. E dimë që i keni 71 vota se I keni vjedhur.

Gjithkush e di se çfarë legjitimiteti keni ju për ta zgjedhur në raund të 4 apo të 5. Si shenjë për të dalë nga loja e kulisave, për zgjedhjen e presidentit, bëmë këtë hap. Ca kritere duhen përcaktuar, që janë kritere ligjore që figura presidenciale do duhet t’i ketë dhe do duhet të biem dakord.

Qëndrimi rrafsh parimor besoj se është i duhuri. Ne duhet të sfidojmë kulturën e këtyre 30 viteve se si zhvillohen procese të tilla. Për të instaluar një proces që del jashtë interesave mazhorancë-opozitë. E që të bëhet kjo, disa kërkesa elementare duhen. Kjo o bëhet ose s’bëhet 4 raundet e para ku Kushtetuta kërkon 84 vota së paku.

Së dyti, që ne të sfidojmë do duhet të ketë një shprehje qëndrimi për qëndrimin tona nga ana e mazhorancës. Doni ju të krijoni një proces? Ne folëm me ca rregulla, ua bëmë me dije, po jo. Në po, ok. Në jo, ok. Në duhet ndryshuar, e hapur është.

Nuk emërohet presidenti nga ju dhe ne edhe sikur të biem dakord. Do jetë president pallati. Ndërkohë Kushtetuta thotë duhet President i shqiptarëve? Shqiptarëve si ua shpjegojmë zgjedhjen? A duhet të mundohemi gjithnjë e më shumë se si po ecim ne në procesin për zgjedhjen e presidentit?  Deri tani ka vetëm heshtje. Mund ta bëjë. Nuk kemi asnjë lloj instrumenti tjetër për ta detyruar përveç moralit.

Meqë na sfiduat me idenë hyjnore që Presidenti është mbi palët, ne u përgjigjëm qëndrimit tuaj me maturi. Historia e emrave nuk ka ndonjë të shkuar brilante.  Pse të mos caktohen 2-3 parametra, një procedurë? Kështu do ishte as juaji, as i joni”, tha Alibeaj.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme