Reforma në Drejtësi/ Çuçi: Rezultate të jashtëzakonshme, PS nuk do i bëhet mburojë askujt

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit teksa është ndalur te Reforma në Drejtësi, ka deklaruar se PS nuk do t’i bëhet mburojë askujt. Sipas ministrit, Reforma në Drejtësi ka dhënë rezultate të jashtëzakonshme për Shqipërinë.
“Askush nuk e ndalon Prokurorinë të hetojë. PS nuk i është bërë mburojë askujt deri më sot dhe nuk do t’i bëhet. Është një moment shumë i mirë që ne të bëjmë një bilanc të reformës më të rëndësishme të një shoqërisë siç është Reforma në Drejtësi. Është marrë me seriozitet që ditën e parë nga maxhoranca jonë, është mbështetur nga partnerët që na asistojnë në ngritjen e institucioneve dhe e kundërshtuar herë haptas, herë nën rrogoz nga eksponentë të opozitës. Reforma në Drejtësi, si më e madhja për një shoqëri duhet parë si një mozaik të cilit duhet t’i largohesh pak për të parë se çfarë efektesh ka dhe si është ndërtuar deri në këtë moment.
Në një bilanc 5 vjeçar është një nga reformat me rezultatet më të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Për herë të parë të realizohet procesi i vetingut. Së dyti janë krijuar dhe janë tërësisht funksionale institucionet e reja, KLGJ, KLP, ILD dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Është ngritur një strukturë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për herë të parë drejtësia është një pushtet i pavarur dhe po kryen funksionin për të cilin është krijuar. Besoj se ne e kemi fituar betejën me shqiptarët kur i premtuam një drejtësi të pavarur. Askujt nuk i shkonte ndërmend derisa ka filluar të funksionojë sistemi i ri i drejtësisë se kryetarë bashkish, ministra të partisë qeverisëse janë hetuar po hetohen dhe ka akoma për të bërë”, tha ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




