Reforma në drejtësi, Kryemadhi i drejtohet Ramës: Partia jote kërcënon gjyqtarët e prokurorët, ora jote po afron!

Në korrik të vitit 2016 Parlamenti votoi me të gjitha votat e deputetëve të Kuvendit draftin e ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugën reformës në drejtësi.
Reforma në drejtësi mori votat e 140 deputetëve teksa në seancën plenare ishin të pranishëm dhe ambasadorët asokohe të SHBA dhe BE, Donald Lu dhe Romana Vlahutin.
Kryeministri Rama mbajti një deklaratë për media pikërisht për reformën në drejtësi, të cilat u konsideruan nga Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi si moralisht të turpshme.
Kryemadhi deklaron se Rama e ka vendosur PS në funksion të kërcënimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve që të mos dënojnë korrupsionin e grupit të tij. Kjo sipas kryetares së LSI është ligjërisht e dënueshme.
Ajo thekson se reforma në drejtësi që mori votat e të gjitha palëve u konceptua dhe u miratua që të mos ishte Ramaforma e radhës.
Kryemadhi thekson se një sistem i pavarur i drejtësisë është jetik për të frenuar shpopullimin dhe për të nxitur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ora jote po afron”, paralajmëron Kryemadhi-kryeministrin Rama.
“Në vitin 2016 miratuam me 140 vota dhe ndihmën e SHBA-BE një reformë në drejtësi që të hiqnim përfundimisht duart e politikës nga drejtësia.
Sot, kryeministri i vendit e ka vendosur partinë e tij në pushtet, në funksion të kërcënimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që të mos dënojnë korrupsionin e grupit të tij. Gjithçka e thënë me logon e partisë socialiste në sfond.
Moralisht e turpshme, ligjërisht e dënueshme!
Rama deklaron se ka udhëhequr Reformën në Drejtësi, por ajo nuk është si reforma në ujin e pijshëm që ai me Alqin e inceneratorëve e përdorën për të zhytur drejt falimentit bashkitë dhe duke rënduar familjet shqiptare përmes taksave të larta.
Reformën në Drejtësi e konceptuam dhe miratuam me 140 vota që të mos ishte Ramaforma e radhës. Sot shohim si Rama i ngërdheshet prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke i thënë se i ka ndihmuar të kalojnë vetingun, ndaj është herezi që sistemi i drejtësisë të hetojë kryekorruptuesin e sistemit dhe bandën e tij.
Një sistem i pavarur i drejtësisë është jetik për të frenuar shpopullimin dhe nxitur integrimin evropian të Shqipërisë, ndërsa synimet e kryeministrit janë krejt të ndryshme. Tik Tak ora jote po afron!”, tha Kryemadhi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




