Reforma tatimore e OECD, Komisioni i Ligjeve miraton konventën kundër evazionit ndërkombëtar

Ekonomi | 7 muaj më parë

Komisioni për Çështjet Ligjore, nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, ka miratuar këtë të mërkurë projektligjin për ratifikimin e Konventës Shumëpalëshe të OECD-së, e cila synon lehtësimin e zbatimit të “Shtyllës së Dytë” të rregullave tatimore ndërkombëtare. Ky hap shënon radhitjen e Shqipërisë krah aktorëve të përgjegjshëm fiskalë për të parandaluar transferimin e fitimeve nga kompanitë shumëkombëshe.

Mekanizmi i ri dhe taksimi minimal

I ftuar për prezantimin e nismës, Zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, sqaroi se kjo Konventë — e nënshkruar në Paris në shtator të vitit 2025 — shërben si një instrument juridik efikas. Ajo mundëson ndryshimin e menjëhershëm të marrëveshjeve ekzistuese dypalëshe pa pasur nevojë për rinegocime individuale e të gjata me çdo shtet.

Qëllimi i kësaj konvente është implementimi i rregullit tatimor që garanton një nivel minimal taksimi global, duke shmangur proceset e tejzgjatura bilaterale dhe duke harmonizuar rregullat në një numër të madh juridiksionesh njëkohësisht.

Vlerësimi i përputhshmërisë

Relatori i projektligjit, Ani Dyrmishi, vlerësoi se nisma është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas tij, ky akt forcon sistemin fiskal vendas dhe mbron bazën tatimore nga erozioni.

Pas diskutimeve mbi ndikimin që ky mekanizëm do të ketë në trajtimin e kompanive ndërkombëtare që operojnë në vend, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi. Tashmë dokumenti pritet të kalojë për votim përfundimtar në seancën plenare të Kuvendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme