Reforma Zgjedhore, ku ndahen dhe bashkohen PS–PD

Politikë | 2 vite më parë

PS dhe PD duket se janë sa afër një marrëveshjeje për Reformën Zgjedhore, që lidhet me votën e emigrantëve, listat e hapura dhe herësin, por dhe aq larg lidhur me koalicionet zgjedhore.

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Bledi Çuçi, deklaroi se ka një konsensus për votën e emigrantëve, ndërsa vijojnë negociatat për herësin e votave për shpërndarjen e mandateve të deputetëve për të gjetur një variant konsensual shumicë–opozitë, por asnjë konsensus për koalicionet zgjedhore.

“Ne nuk i kthehemi më asaj çështjeje. Nuk ka e nuk do të ketë ndonjë variant tjetër veç atij që kemi përcaktuar në 2020 në ndryshimet që bëmë,” tha Çuçi. 

“Për votën e emigrantëve kemi pasur konsensus me opozitën dhe do të arrijmë në një variant të përbashkët. Vazhdojnë diskutimet për herësin. Për listën ka pasur diskutime lidhur me herësin, ka pasur diskutime për të gjetur konsensus për të adresuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Të gjitha do të shkojnë drejt një formule që garanton qartë formulën që ka Kushtetuta. Vijojnë negociatat edhe në këtë orë. Ka mbledhje komisioni i ligjeve ku grupi i dialogut politik do të adresojë përfundimet që kanë pasur nga këto diskutime me shpresën e një varianti konsensual dhe komisioni do i marrë në diskutim dhe do të ezaurohen të gjitha. Nëse i ezaurojmë, e fusim në seancë e së premtes,” tha Çuçi.

PS ka propozuar që herësi të jetë 7 mijë vota, gjë e cila nuk është pranuar nga PD-ja, por ka pak hapësirë për këtë çështje, pasi shumatorja e votave që kërkohet prej saj sillet rreth kësaj shifre.

Objekt debati është edhe lista e kandidatëve për deputetë, që duket se ballafaqohet mes dy opsioneve 1/3 që i përket kryetarëve të partive dhe 2/3 e hapur. PD në tryezën e dialogut e hodhi për diskutim propozimin, por socialistët janë kategorikisht kundër, pasi ata argumentojnë se me këtë formulë nuk mbrohen kuotat ligjore si detyrim ligjor kushtetues.

Socialistët i mbeten idesë që 1/3 e listës të jetë e mbyllur, ndërsa 2/3 e hapur, një opsion ky që nuk kundërshtohet fort nga PD-ja. Lidhur me votën e diasporës, palët kanë qenë thuajse në të njëjtën linjë, duke mos e bërë të vështirë arritjen e akordit.

Sipas dakordësisë, emigrantët me ose pa dokumente mjafton të kenë një adresë banimi dhe vota do të numërohet ne qarkun ku ata janë të regjistruar në Shqipëri. Vota e tyre do të vijë me postë.

Deputeti i opozitës, Enekelejd Alibeaj tha se me ndryshimet për Kodin Zgjedhor është bërë pazari për t’i dhënë Edi Ramës mandatin e katërt në tavolinë.

“30% të fiksuar të listës, mbrojtja më e madhe që i jepet Ramës. Do të fshehë në atë pjesë figurat më të larta politike, e drejta e atij ta bëjë atë punë, por jo në kurriz të shqiptarëve. I jep mundësinë Ramës të përdorë administratën, patronazhistët për të vjedhur votat. I jep 12 mandate dhuratë dhe i jep mundësinë të fshehë figurat më të larta të pushtetit që janë ata që janë në traget të votës së qytetarëve shqiptarë. Jepini shqiptarëve të drejtën që ta zgjedhin ata deputetin që duan. Nëse e do një parti politike, ta zgjedhë si opsion. 100% të listës ta mbajnë të mbyllur ata, mbase pushteti e do të mbyllur, por jo duke detyruar shqiptarët. Ta bëjnë si zgjedhje të tyre. Vendimi i GJK Kushtetuese është për listë të hapur.

Nuk jam për votën me postë. Vota më postë me këto kushte të regjistrohesh brenda 60 ditëve, për 3 muaj, të regjistrohesh duke pasur një vendbanim atje ku je, kjo është pengesë” tha Alibeaj.

Vota e emigrantëve

Kompetencat e KQZ-së lidhur me votimin nga jashtë territorit të Shqipërisë

KQZ-ja drejton, mbikëqyr dhe është përgjegjëse për procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvendin.

Të drejtën e votës nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë e ka çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që për arsye banimi, punësimi, studimi, kryerje të detyrave ushtarake apo arsye shëndetësore ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në datën e zgjedhjeve.

Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij Kodi. Çdo organ shtetëror shqiptar dhe çdo ent tjetër shtetëror ose privat që përfshihet në këtë proces janë të detyruar të zbatojnë rregullat e përcaktuara në këtë Kod dhe në aktet nënligjore që miraton KQZ-ja në zbatim të tij.

Rregullatori duhet të marrë vendim, me të paktën 4 vota “pro”, për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.

Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së brenda 90 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë

Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të rregjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit, në përputhje me përcaktimet e bera në këtë Kod dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit dhe që janë të rregjistruar në Rregjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.

Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje për Kuvendin sipas kritereve, procedurave dhe afateve të përcaktuara në këtë Kod dhe aktet normative të KQZ-së të nxjerra në përputhje me të, dhe janë të vlefshme vetëm për zgjedhjet për të cilat ato janë hartuar. Në çdo rast, KQZ dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ruajnë bazën e të dhënave të zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për çdo palë zgjedhje.

Rregjistrimi i zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së këtyre zgjedhësve fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 60 ditë para kësaj date. Hapja e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë terrritorit të Republikës së Shqipëirsë njoftohet publikisht nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet.

Zgjedhësi që dëshiron të votojë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë pas hapjes së procesit të rregjistrimit nga KQZ aplikon në mënyrë individuale për rregjistrim në listën e këtyrezgjedhesve. KQZ krijon, mirëmban dhe përditëson platformën elektronike për rregjistrimin e kërkesave të zgjedhëve që dëshirojnë të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Zgjedhësi për rregjistrim në listë paraqet dokumentacion që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të tillë si kontratë marrje me qira banese, dokumenti i pronësisë së banesës, kontrata e ujit/energjisë/gazit, kontrata e punës, kontrata apo vertetime shkollimi, etj. Lista më e detajuar e dokumentacionit që kërkohet për rregjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me vendim të Rregullatorit.

Adresa e shtetasit që voton nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mbështetet në një nga dokumentet që paraqet në KQZ, sipas pikës 5 të këtij neni. Të dhenat e identitetit të shtetasit kërkohen të verifikohen nga KQZ në Rregjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe nese ato janë të njëjta behet nga DPGJC rregjistrimi në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile i adresës së shtetasit që voton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në nje rubrikë të veçantë.

Komisioneri Shteteror për Zgjedhjet, 63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën paraprake të zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orësh nga publikimi i saj të mund të kërkojnë rregjitrimin apo rregullmin e pasaktësive të rregjistrimit të tyre. Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet 60 ditë para datës së zgjedhjeve miraton dhe publikon në faqen zyrtare të internetit të KQZ listën përfundimtare të zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë pikë, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 7 të këtij neni.

Kur zgjedhësi që ka paraqitur kërkesë për rregjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë vëren se nuk është i regjistruar në këtë listë, ose rregjistrimi i tij ka pasaktësi, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 7 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa, sipas kësaj pike, përjashtohet nga taksat gjyqësore. Gjykata e shqyrton dhe vendos në lidhje me kërkesën, sipas kësaj pike, brenda 24 orëve nga data e rregjistrimit të kërkesës, por jo më vonë se 5 ditë para datës së zgjedhjeve. Emri dhe të dhënat e tjera të zgjedhësit që i shtohet listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë i bashkëngjitet vendimi i gjykatës.

Shtetasit shqiptarë që janë rregjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së rregjistrimit sipas këtij neni, ç’rregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit që shpallet sipas nenit 56 të këtij Kodi.

Në rastet e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme sipas nenit 9, pika 5, pika 6, pika 7 ose pika 8 të këtij Kodi, Rregullatori përcakton me akt normativ afatet kohore për listën e zgjedhësve dhe votimin e zgjedhësve me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, sipas të njëjtave kritere dhe procedura që zbatohen për zgjedhjet e zakonshme.

Auditët teknicienë të miratuar sipas nenit 61 të këij Kodi kanë të drejtë të kryejnë verifikimin e veprimeve të realizuar nga KQZ për rregjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë territorit të Reepublikës së Shqipërisë. Detyrat dhe përgjegjësite konkrete të auditëve teknicienë dhe bashkëpunim i tyre me KQZ dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile përcaktohet me vendim të Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet.

Rregullatori miraton aktet e nevojshme normative nënligjore për përbërësit e listës së zgjedhësve jashtë vendit, dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, mënyrën dhe afatet e komunikimit me Rregjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe eventualisht bazë tjetër të dhënash, si dhe modalitetet dhe rregullat e tjera teknike të hartimit të kësaj liste.

Komisioneri dhe Ministri përgjegjes për gjendjen civile, brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcaktojnë me akt të përbashkët mënyrën e bashkëpunimit mes KQZ-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për ç’rregjistrimin e shtetasve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në listën e zgjedhësve brenda vendit.”

Votimi nga jashtë territorit të republikës së Shqipërisë dhe rezultati zgjedhor

Votimi nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit dhe dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur pas këtij orari, me përjashtim të zarfeve me fletë votimi të cilët kanë vulën e hyrjes ose çdo shënim tjetër për këtë gjë në territorin e Republikës së Shqipërisë deri në orën 12.00 të datë së zgjedhjeve.

KQZ dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit. Në rast se KQZ përzgjedh ofrues ndërkombëtarë të shërbimit postar me jashtë vendit ky ofrues duhet të ketë eksperiencë dhe reputacion të mirë në shërbimin e postës së shpejtë, dhe zgjedhja e tij realizohet nëpërmjet procedurave më afatshkrurtra që mundëson legjisalcioni për prokurimin publik.

Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të administruara numërohen në ambientet e KQZ. Fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në momentin e mbërritjes në KQZ rregjistrohen ne një rregjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria. Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëtin moment që fillon numerimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse dhe vlerësimi i tyre kryhet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse. Komisionieri përcakton me akt nënligjor dokumentacionin, mënyrën e plotësimit të tij dhe çdo aspekt tjetër për administrimin, vëzhgimin e procesit të numërimit, numërimin, vlerësimin e votës dhe tabelimin e rezulatit zgjedhor sipas këtij neni.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme