“Regjistri kombëtar për krimet seksuale”, PS- LSI konsensus për miratimin e projektligjit

Politikë | 4 vite më parë

PS dhe LSI duket se kanë arritur konsensus, lidhur me projektligjin për “Regjistrin kombëtar për krimet seksuale”. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, duke folur në Kuvend për këtë projektligj, ka theksuar se ky draft nuk do të kufizohet vetëm tek ata që jetojnë në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve.

Në këtë regjistër do të evidentohen të gjithë personat që kanë bërë krime me natyrë seksuale, që nga viti 1995. Çdo person i arrestuar më parë për këto vepra dhe ka kryer dënimin, duhet që të raportojë në polici lëvizjet e tyre brenda vendit, si dhe nuk do të punësohen në vende ku ka të pranishëm fëmijë. Sipas Manjës, ky ligj i jep besim çdo prindi shqiptar në garancinë e mbrojtjes maksimale të fëmijëve.

“Nuk besoj që ka mes nesh, që nuk kanë kërkuar masa mbrojtëse ndaj abuzuesve seksual, që kanë shkaktuar jo pak viktima tek të miturit. Është e para nisëm që vjen në Kuvend si nismë e 20 mijë qytetarëve dhe e koleges deputete që e prezantoi, zonja Xhixho. Si ministër i Drejtësisë dhe si deputet i këtij Kuvendi, dhe si prind, shpreh kënaqësinë time që do të votojmë sot”,- deklaroi Manja.

Ngritja e regjistrit të posaçme jo vetëm mbron viktimat e mundshme dhe parandalon një kategori veprash, por është hap i rëndësishëm në luftën kundër kriminalitetit dhe në rritjen e vigjilencës ndaj kësaj kategorie të shëmtuar.  Sipas Manjës, regjistri nuk kufizohet vetëm tek të dënuarit në Shqipëri, por edhe tek ata jashtë kufijve.

 “Është shumë projektligj i mirë në parandalimin e krimeve seksuale. Duke e rikthyer në ligj krijojmë një barrierë të fortë për grabitqarët seksual që kanë shkaktuar drama e trauma tek të miturit, e tronditje të shoqërisë shqiptare. Në fund të ditës, secili prej nesh është prind dhe e dimë sa e shtrenjtë është për këdo fëmija”, tha Manja.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme