Rehabilitohet një bllok banimi në Elbasan, Gjiknuri: Investimet do të vijojnë dhe në zonat periferike

Bashkia e Elbasanit ka nisur rehabilitimin e një blloku banimi në rrugët “Grigor Nosi”, “Hasan Ali Kopili” dhe “Xhaferr Duhanxhiu”. Sekretari i Përgjithshëm i PS, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, Damian Gjiknuri, ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe kryebashkiaku Gledian Llatja inspektuan punimet.
Gjiknuri deklaroi se krahas zhvillimit të qendrës së qytetit, investimet do të vijojnë dhe në zonat periferike.
“Këtu puna flet vetë. Është një kantier në zhvillim e sipër, çdo gjë nëntokësore është përfunduar, kanalizimet janë bërë. Bëhet fjalë për urbanizimin edhe të kësaj pjese të Elbasanit. Mesazhi jonë ka qenë konkret. Kemi filluar nga zhvillimi i qendrës së Elbasanit dhe pak nga pak po shtrihemi edhe në periferi. Ka një vullnet të qartë nga Kryetari i Bashkisë, ka një mbështetje nga qeveria dhe mirëkuptim nga qytetarët e Elbasanit për lirimin e hapësirave të zëna. Kjo tregon që e mira publike prevalon”, tha ai.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, tha se ky bllok banimi do të jetë një nga zonat më të bukura të Elbasanit.
“Më vjen mirë që u bë realitet ky investim. Si deputete e kësaj zone jam e kënaqur që banorëve po u jepet përgjigje dhe një investim me standarde. Shumë suksese Bashkisë dhe duhet të vijojmë me punë të tjera. Kjo zonë do jetë një nga zonat më të bukura të qytetit të Elbasanit”, deklaroi Kushi.
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja u shpreh se prej vitesh në Bashkinë e Elbasanit po ndërtohen rrugë me standarde. “Vjet dhe parvjet patëm një sërë ndërhyrjesh në rrugët e vjetra të Elbasanit. Fokusin tashmë do e kemi te infrastruktura e brendshme e lagjeve”, tha kryebashkiaku Llatja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




