Rekrutonte luftëtarë dhe u siguronte armë ekstremistëve, një shqiptar në SHBA shpallet fajtor për mbështetje të ISIS

Një shqiptar nga Kosova është shpallur fajtor në SHBA për rekrutim të ushtarëve për ISIS. Mirsad Kandiçin, 40 vjeç, u shpall fajtor nga një gjykatë federale në Brooklyn, ku rrezikon burgimin e përjetshëm për mbështetje të grupeve ekstremiste.
Sipas provave të paraqitura në gjykatë, Mirsad Kandiç, kishte shumë përgjegjësi brenda organizatës terroriste globale, ISIS, përfshirë rekrutimin e luftëtarëve të huaj dhe sigurimin e armëve për luftëtarët e ISIS-it.
“Në kryerjen e këtyre përgjegjësive, i pandehuri ka punuar drejtpërdrejt me emirët e ISIS-it dhe komandantët në terren, përfshirë Bajro Ikanoviçin, i cili komandonte një kamp trajnimi të ISIS-it në Siri duke filluar në ose rreth vitit 2014. Bajro Ikanoviç, nga ana tjetër, i raportonte Omar Shishanit, atëherë komandant i lartë ushtarak për ISIS-in dhe një këshilltar i rëndësishëm i Abu Bakr al-Baghdadi, i cili ishte, në atë kohë, udhëheqës i ISIS-it dhe kalif i vetëshpallur i Shtetit Islamik”, thuhet në një njoftim të Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Mirsad Kandiç, është arrestuar në gusht të vitit 2017 në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjës, ku sipas agjencive të sigurisë kishte hyre më një pasaportë të falsifikuar ukrainase.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




