Revolta e Çupit brenda grupit të Alibeajt: Jam kundër daljes në zgjedhje me 2 kandidatë

Politikë | 4 vite më parë

Deputetja Dhurata Çupi nuk merr pjesë prej disa javësh në mbledhjet e grupit parlamentar të PD, të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.

Gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço ajo zbuloi për herë të parë arsyen e këtij vendimi.

“Jam përpjekur të jem e ekuilibruar për të gjetur forma dhe mundësi për të bashkuar grupin parlamentar dhe opozitën, si e vetmja mënyrë për të luftuar këtë qeverisje. Jam distancuar nga mbledhjet e të dy grupeve parlamentare, posaçërisht nga grupi ku angazhohesha, në momentin kur u vendos që do të jemi pjesë e zgjedhjeve me 2 kandidatë nga opozita. Këtë vendim unë s’e përkrah dhe e kam gjykuar mospjesëmarrjen në grup si një lloj revolte timen.”- u shpreh zonja Çupi, e cila përsërit thirrjen që figurat kryesore të 2 grupimeve të gjejnë një gjuhë të përbashkët, që të shkojnë drejt bashkimit dhe me 1 kandidat në zgjedhje.

“Jemi bërë një grup që qeshemi në seancat parlamentare dhe demokratët nuk e duan këtë. Opozita bashkohet duke u shmangur nga sedra personale, nga interesat personale, nga përllogaritjet individuale, por duke patur interesin e demokratëve në radhë të parë. Opozita duhet të jetë e bashkuar, duhet të jetë me 1 kandidat në zgjedhjet vendore. Të gjithë individët që ndikojnë në përçarjen e opozitës apo grupimi që do të tentojë përçarjen, do të kenë përbuzjen e demokratëve. Nuk bëhet opozitë ndaj kësaj qeverisje vetëm duke mbajtur një fjalim në parlament dhe secili sipas qasjes personale.”- u shpreh zonja Çupi për emisionin “Pa Censurë” në RTSH, duke theksuar se edhe nën drejtimin e zotit Berisha, PD nuk është aty ku duhej të ishte.

“Nuk kemi rritur numrat dhe në zgjedhje rëndësi kanë numrat. Nuk e mendoj që PD sot është më e bashkuar dhe kjo patjetër që do të ketë kosto tek zgjedhjet e 14 majit.”- tha nënkryetarja demokrate e komisionit të ligjeve.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme