Riatdhesimi nga kampet e luftës në Siri, Rama: Të gatshëm të kthejmë në shtëpi çdo shqiptar!

Politikë | 5 vite më parë

Ndërsa i mbante dorën në hapat e pare të mbërritjes në Shqipëri, njërës prej vajzave të vogla  të riatdhesuara nga kapet e luftes në Siri, kryeministri Edi Rama paralajmëron një tjetër operacion riatdhesimi, për shqiptarët që ndodhen në Siri. “Ka dhe një operacion tjetër për të zhvilluar me një numër që ende nuk e dimë saktësisht sepse është një punë terreni për të gjetur personat në ato vrima të zeza ku gjenden, por llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin në mos pak më të vogël”, tha zoti Rama. 5 gratë dhe 14 fëmijë, rikthen në atdhe, pas disa vitesh në zonën më të nxehtë luftës në Siri. Kryeministri garantoi angazhimin e plotë për të rikthyer në shtëpi, gratë dhe fëmijët, që ndodhen ende në atë që e cilësoi si kampet e ferrit.
Kryeministri që e përcolli vetë operacionin e riatdhesimit të tyre nga Siria, i mundësuar falë bashkëpunimit me forcat e sigurisë së Gjeneral Abass Ibrahim në Bejrut të Libanit, e cilësoi këtë operacion si të vështirë dhe të rrezikshëm. “Operacione të kësaj natyre janë të vështira sepse nuk zhvillohen në terren miqësor, kampet nuk janë kampe pushimi po as shtetërore të sistemuara sipas një rregulli të caktuara, dhe kampet janë kampe lufte, me autoritete që variojnë. Puna që bëhet është e dyfishtë me ata që administrojnë kampet dhe me personat e infiltruar për të mbledhur informacion, brenda kampit ka dinamika të ndryshme  ka njerëz që nuk shfaqen fare ka që janë pengje të të tjerëve aty dhe të gjitha e bëjnë operacionin kompleks” tha kryeministri shqiptar.
19 personat e atdhesuar do të nënshtrohen porcedurace të posacme mjeksore dhe psikologjike dhe do të sistemohen për një periudhë të shkurtër në qendrat shtetërore, për tu rikthyer sërish në familje.“Faktikisht tani ata janë marrë nga strukturat tona të posaçme të kombinuara të Policisë së Shtetit dhe të Mirëqenies Sociale dhe do t’i drejtohen një strukture enkas të përgatitur për ta në Durrës, ku do të bëhen ekzaminimet mjekësore dhe psikologjike. Do të kryejnë një  periudhë të shkurtër karantinimi dhe sipas rastit do të çohen ose nëpër shtëpi, ose do të qëndrojnë në struktura të posaçme. Por bëhet fjalë për gra dhe fëmijë dhe kjo e bën më të lehtë këtë punë nga pikëpamja e sigurisë. Ndërsa nga pikëpamja psikologjike dhe shoqërore, kjo kërkon kujdesin e vet dhe ne jemi përgatitur siç kemi bërë edhe më parë”, tha ai.
Të tjerë shqiptarë, kryesisht gra e fëmijë ndodhen në kampet e luftës në Siri, në kushtet tejet të vështira. Nga informacionet shtetërore, vetëm 2 prej tyre, që janë konstatuar nga agjentet shqiptarë të anti-terrorit, kanë refuzuar të kthehen, pasi sipas kryeministrit, janë pengje që mbahen brenda atyre kampeve. “Janë dy raste që ne njohim. Nuk jap emra e identitete personash që kanë refuzuar, por nga informacionet e marra në rrugë inteligjente janë pengje brenda kampeve, nuk shkëputen dot sepse kanë frikë se gjatë momentit të shkëputjes mund t’iu marrin jetën. Janë 2 persona të identifikuar”, tha ndër të tjera kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp nga aeroporti i Rinasit pasi zbritën nga avioni gratë dhe fëmijët e riatdhesuar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme