Richard Grenell interviston kryeministrin Rama, flet për shpalljen “non grata” të Berishës

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një interviste me Richard Grenell, ish-të dërguarin e presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi.
Kryeministri foli për herë të parë në mënyrë të detajuar edhe për shpalljen non grata të Sali Berishës në SHBA, duke thënë se është një realitet pikëllues, por tregon se askush nuk është mbi ligjin.
“Do të thoja se në njërën anë është pikëlluese që ta shohësh këtë realitet, por është sinjal që administratat amerikane vazhdojnë që të jenë zë i reformave në drejtësi. Për mua kjo ishte pak a shumë sikur njoftimi për mbarimin e tranzicionit dhe mbarimin e pandëshkueshmërisë. Askush s’është mbi ligjin”, tha Rama.
Kreu i qeverisë kritikoi BE-në lidhur me vendimin për të mos hapur negociatat për Shqipërinë, pas vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.
“BE-ja ka dhënë vlerësimin dhe premtimin që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të anëtarësohen në BE. Në anën tjetër s’ka vendim sepse BE-ja është e bazuar në vendim-marrjen e të gjitha shteteve dhe pastaj kur një shtet s’pajtohet gjithçka ndalohet”, u shpreh Rama.
Grenell e pyeti Ramën edhe për iniciativën e mini-Shengenit dhe ecurinë deri më tani. Kryeministri teksa dha detaje, zbuloi se vetë Grenell kishte një kontribut të rëndësishëm në këtë nismë.
“Ti kishe një kontribut të rëndësishëm duke treguar me shembuj që është e mundshme, dhe ka një çështje të pa zgjidhur të mos njohjes nga Kosova. Është e mundshme që të përmirësohen jetët e njerëzve. Dhe të punojmë së bashku, për të përmirësuar tregtinë, lirinë e lëvizjes, kapitaleve… Kjo është ajo që nga ana ime po bëj prej vitesh tashmë…”
Intervistën Rama e dha në Newsmax, një media e re konservatore, që ka njohur rritje të shpejtë në SHBA.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




