“Rihapja e venddepozitimit të vjetër të Sharrës, vepër penale”, Kryemadhi: 54 mln USD për kompaninë, pronarët në kërkim

Politikë | 4 vite më parë

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka adresuar sot të tjera akuza ndaj qeverisë dhe Bsashkisë së Tiranës lidhur me inceneratorin e Tiranës, për të cilin tha se Kryebashkiaku Veliaj ka paguar 54 milionë dollarë për kompaninë, pronarët e të cilës janë në kërkim.

Kryemadhi bëri me dije se mbetjet po groposen në venddepozitimin e vjetër të Sharës, dhe kjo sipas saj, përbën vepër penale. Kryemadhi thekson se arroganca e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, kalon çdo lloj limiti të moralit politik, e njerëzor.

“Arroganca e qeverisë dhe institucioneve të lidhura me projektin e inceneratrorit të Tiranës vazhdojnë sfidojnë drejtësinë dhe taksapaguesit shqiptarë që paguajnë 29 euro tonin e mbetjeve pa TVSH se me TVSH shkon 34.8 euro.

Ata dje përsëri depozitonin mbetje që as diferencohen, as riciklohen por groposen në vend depozitimin e vjetër të Sharrës. Në orën 21:20 të ditës së djeshme kamionët me mbetje peshohen dhe depozitohen në Sharrë i cili është rihapur në nëntor të 2022-shit. Kjo arrogancë e pashoqeë e Ramës dhe Veliajt kalon çdo lloj limiti të moralit politik e njerëzor. Vetëm Bashkia e Tiranës ka paguar deri në nëntor 54 mln usd pa llogaritur proceet e tjera të administrimit të mbetjeve.

Diferencimi i mbetjeve në burim është përgjegjësi ligjore e Bashkisë, pavarësisht se nënkontraton shërbimin e pastrimit, i gjithë procesi monitorohet nga Bashkia dhe nëse nuk zbatohet gjobitet nga Kryetari i bashkisë. Të gjitha mbetjet duhet të diferencohen më parë  në letër, karton, qelq, dhe pjesa tjetër e mbetjeve dërgohet në landfill në pritje të incenerimit. Këto 54 milionë dollarë shkojnë në një kompani ku pronarët janë në kërkim nga drejtësia shqiptare”, tha Kryemadhi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme