Rikthehet në normalitet transporti publik, operatorët: Arritëm marrëveshje me qeverinë për subvencionimin e naftës

Transporti publik në vend është rikthyer në funksionim të plotë, vetëm një ditë pas situatës kaotike të shkaktuar nga reduktimi me 40% i flotës së autobusëve, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës.
Linjat urbane dhe interurbane po operojnë sërish me kapacitet të plotë, duke lehtësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve, të cilët u përballën me vonesa dhe mbingarkesë gjatë ditëve të fundit.
Zgjidhja erdhi pas një takimi të zhvilluar mes Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban me përfaqësues të qeverisë, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Ekonomisë dhe Bashkinë e Tiranës.
Në fokus të diskutimeve ishte përballimi i kostove të rritura të operatorëve për shkak të shtrenjtimit të karburantit. Palët ranë dakord për subvencionimin e naftës, një masë që pritet të ndihmojë operatorët të vazhdojnë aktivitetin pa ndërprerje.
“Patëm një takim me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe kryetaren e Bashkisë. U dakordësuam që transporti të rikthehet në normalitet dhe të ketë subvencion për litër nafte. 50 lekë për litër do të jetë për tre muaj dhe do diskutohen taksat dhe kostot e tjera javën tjetër do diskutohet. Nga sot, transporti do të vijojë me kapacitet të plotë, pasi edhe operatorët synojnë të ofrojnë shërbim cilësor, sidomos pas problematikave të evidentuara këto dy ditë,” deklaruan përfaqësuesit e shoqatës.
Ata shtuan se një tjetër takim pritet të zhvillohet javën e ardhshme, ku do të diskutohen kërkesa të tjera të sektorit, përfshirë çështje fiskale si TVSH-ja, akciza dhe kategoritë që përfitojnë udhëtim falas.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




