Rikualifikimi urban në Çorovodë, qeveria miraton shpronësimet për bllokun e parë të lagjes “5 Shtatori”

Aktualitet | 6 muaj më parë

Qeveria ka miratuar vendimin për shpronësimin për interes publik të pasurive private që preken nga projekti i rikualifikimit urban në qytetin e Çorovodës. Ky investim, i cili përqendrohet në bllokun nr. 1 të lagjes “5 Shtatori” (Faza e Parë), synon transformimin e infrastrukturës urbane dhe rritjen e cilësisë së jetesës për banorët e Bashkisë Skrapar.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, i propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përcakton se shpronësimi do të kryhet në favor të Bashkisë Skrapar, e cila do të jetë edhe autoriteti përgjegjës për dëmshpërblimin e pronarëve.

Detajet e dëmshpërblimit dhe fondet

Për realizimin e kësaj faze të parë të projektit, është akorduar një fond prej 893,955 lekësh, i cili do të përdoret për kompensimin e plotë të pasurive të llojit “ndërtesë” dhe “garazh”. Sipas pikave të vendimit vlera e shpronësimit do të përballohet tërësisht nga buxheti i Bashkisë Skrapar.

Janë parashikuar edhe 50,000 lekë për shpenzime procedurale. Procesi i likuidimit të pronarëve do të nisë menjëherë pas paraqitjes së dokumentacionit justifikues pranë zyrave të bashkisë.

Afatet dhe procedurat kadastrale

Procesi i shpronësimit konsiderohet i hapur menjëherë pas botimit të vendimit në “Fletoren Zyrtare” dhe parashikohet të përmbushet brenda një afati prej 3 muajsh.

Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), Drejtoria Vendore Berat, është ngarkuar që brenda 30 ditëve të bëjë pasqyrimin e gjurmës së projektit në hartat kadastrale. Gjatë kësaj periudhe, të gjitha transaksionet me pasuritë e prekura do të pezullohen deri në regjistrimin përfundimtar të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Skrapar.

Ky projekt rikualifikimi pritet t’i japë një impakt pozitiv estetikës së qytetit dhe funksionalitetit të hapësirave publike në njërën prej lagjeve kryesore të Çorovodës, duke hapur rrugën për fazat vijuese të investimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme