Rindërtimi, në lagjen “5 Maji” në Tiranë hyjnë 100 familjet e para

Dy vite pas tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, në lagjen “5 Maji” në Tiranë janë kthyer në banesat e tyre të reja 100 familjet e para.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në lagjen “5 Maji” ku u dorëzuan edhe çelësat e shtëpive për këto familje. Pas një muaji po në këtë lagje do të akomodohen 1000 familjet që humbën strehën nga tërmeti.
“Lagjja e re “5 Maji”, mbajeni mend do të jetë pas jo shumë vitesh, zona më e kërkuar e Tiranës dhe lagjja më moderne e kryeqytetit, bashkë me “Kombinatin e Ri”. Programi u dha një mundësi të re duke iu ofruar atyre shumë më tepër se sa mund t’u ofronte një zhvillues privat me banesa, shkolla, kopshte, çerdhe, qendër shëndetësore, institucione publike, terrene sportive, klube, restorante, njësi tregtare, parqe publike e shumë gjelbërim”tha kryeministri Rama.
Ai nënvizoi se të gjitha banesat jepen falas. “Nga të gjitha programet e rindërtimit që kemi studiuar në kontinentin tonë dhe më gjerë për të mësuar si i kanë ndërtuar modelet financiare, urbanistike, apo marrëveshjet, nuk kemi gjetur asnjë program që t’i kthejë familjet në shtëpi falas, duke ju dhënë titullin e pronësisë si të ishin pronarë apo blerës. Të gjitha programet kanë kredi. Ne nuk mund t’u ngarkonim këtyre familjeve asnjë qindarkaë që ndër vite t’ja jepnin bankës. Për këtë jam krenar se është një përgjigje me vepra për ato që janë thënë“ tha zoti Rama.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj bëri të ditur se janë 49 mijë familje që kanë përfituar nga procesi i rindërtimit.
Sipas tij, projekti ‘5 Maji” lindi një ditë pas ditës së tërmetit.
“Kjo lagje që vitin tjetër do të jetë e plotë, do të jetë një nga qendrat e reja të Tiranës që i përket të ardhmes dhe familjet që jetojnë këtu do të kenë një shtëpi më të mirë më të bukur e më të fortë. Të gjitha kurorat në një çati do të kenë një shtëpi më vete”, tha ministri i rindërtimit Arben Ahmetaj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




