Rita Ora viziton ‘Shtëpinë e Ngjyrave’ në Tiranë: UNICEF po bën një punë të madhe me fëmijët, e nderuar që jam këtu

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora prej dy ditësh ndodhet në Tiranë ku po zhvillon disa aktivitete sociale. Këngëtarja ka vizituar “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendrën komunitare në Tiranë, që ofron shërbime për fëmijët dhe familjet e tyre.
Rita Ora, e cila është ambasadore e UNICEF, kaloi kohë me fëmijët duke luajtur, kërcyer dhe pikturuar së bashku. Gjithashtu, ajo u përpoq të ndihmonte stafin e kuzhinës për të përgatitur një “Byrek”.
“Jam vërtet e nderuar që jam këtu dhe hedh dritë mbi punën e pabesueshme që po bëjnë UNICEF dhe UNICEF në Shqipëri. Më pëlqeu të kaloja kohë me fëmijët frymëzues që takova në Shtëpinë e Ngjyrave. Eksperienca të tilla, ku mund të shoh personalisht se si UNICEF po mbështet fëmijët kudo, theksojnë punën e pabesueshme dhe të paçmueshme që ata po bëjnë”, tha Rita Ora.
I pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi punën e bërë këtu me ndihmën që u jepet fëmijëve dhe familjeve që janë në nevojë.
“Jam shumë i lumtur që Rita ishte pjesë e një vizite shumë të veçantë, për të parë punën e jashtëzakonshme që bëhet këtu nga stafi i mrekullueshëm i Nismës ARSIS me fëmijët në situatë rruge. Kur bashkëpunojmë të gjithë bashkë, Ambasada e Britanisë në Tiranë, UNICEF dhe i gjithë rrjeti i organizatave tona të shkëlqyera, që e kryejnë detyrën e tyre njësoj si organizatat në perëndim, kur vjen puna për të menaxhuar një rast në situatë rruge apo dhunë në familje, është një lajm i mirë, ndaj më vjen mirë që këtu kemi krijuar një ishull ekselence. Sigurisht, ka çështje të vështira, por ku ka vullnet ka edhe zgjidhje! Fakti që Rita është këtu, për të parë punën që bëhet këtu, na jep shumë kurajë”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Vizita u mbyll me aktivitetin “Muri i ngjyrave dhe dritës” ku Rita Ora, fëmijët dhe të gjithë pjesëmarrësit lanë gjurmët e duarve dhe firmat e tyre në një mur të bardhë, në mbështetje të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe punës së detyrueshme të fëmijëve. Më 6 shtator Rita Ora zhvillon një koncert falas te sheshi “Skënderbe”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




