“Rithemelimi” i PD-së, Boçi: Çmimet e larta të karburanteve, metodë e qeverisë për të vjedhur qytetarët

Politikë | 4 vite më parë

Çmimet e karburanteve kanë qenë sot në epiqendër të deklaratave të opozitës kundër qeverisë. Pas deputetit të PL-së, Petrit Vasili, ka qenë edhe deputeti i “Rithemelimit” të PD-së, Luçiano Boçi, ai që ka  hedhur akuza ndaj rritjes së çmimeve të karburantit, duke i cilësuar ato si “një metodë e qeverisë për të vjedhur qytetarët”.

Boçi, në një postim në rrjetin e tij social FB, ka sqaruar se këto çmime janë një zhvatje për qytetarët dhe emigrantët nga ana e qeverisë. Deputeti i PD-së komenton se ka një arsye themelore që çmimi i naftës në Shqipëri rritet e nuk u ul asnjëherë, përkundrejt rënies së tij në bursa.

“Arsyeja është sa e thjeshtë aq edhe kanibaleske. Kjo është periudha kur sasia e mjeteve në qarkullim dyfishohet dhe kërkesa për karburant gjithashtu, sepse emigrantët e shumtë kthehen në vendlindje dhe me pushime. Grabitqari këtë rast pret për të sulmuar prenë e vet. Rama këtë ka pritur për të rrjepur emigrantët e qytetarët! E shndërron sentimentin njerëzor të mallit për vendin, në mall për fitimin e vet marramendës.

Me keq se e turpshme! Kështu, biznesi i tij qeverisës, arkëton miliona euro nga xhepat e njerëzve që i kanë me djersë e gjak, por që dihet si përfundojnë. Përfundojnë në llogaritë e qeveritarëve dhe “bosave” të PPP-ve. Ndërkohë, oligarkët e karburanteve marrin pjesën e tyre me një fitim marramendës. Ndërsa ata që zhvaten, grabiten më shumë me borde e pa borde, janë ata që nuk firmosin në asnjë bordero të bordellos-shtet, emigrantët patriotë dhe çdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi.”- shkruan Boçi.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme