Ronaldo dhe United ndahen: CR7 në Kupën e Botës pa ekip

Cristiano Ronaldo dhe Manchester United kanë ndarë rrugët. Klubi anglez e zyrtarizoi pas deklaratave të ashpra të portugezit në një intervistë për The Sun. “Cristiano Ronaldo largohet nga Manchester United me efekt të menjëhershëm pas një marrëveshje konsensuale”, thuhet në deklaratën e shkurtër të Djajve të Kuq.
“Klubi falënderon CR7 për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në dy periudha në Old Trafford, në të cilat ai shënoi 145 gola në 346 paraqitje dhe i uron atij dhe familjes së tij më të mirën për të ardhmen”.
“Të gjithë tek Manchester United mbeten të fokusuar në përparimin e ekipit nën drejtimin e Erik ten Hag dhe punojnë së bashku për të arritur rezultate në fushë”, vazhdoi deklarata.
“Pas disa bisedimeve me Manchester United, ne kemi vendosur të ndërpresim kontratën me pëlqim reciprok – tha Ronaldo -. Unë e dua Manchester United dhe tifozët e tij, kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Ndjej se ka ardhur koha për të filluar një sfidë të re. I uroj United më të mirën”.
Një lamtumirë e hidhur, e cila filloi me intervistën tronditëse të CR7 dhe përfundoi me njoftimin zyrtar të përfundimit konsensual. Të gjitha të shoqëruara me një deklaratë të varfër nga Djajtë e Kuq me falënderimet e zakonshme dhe mbështetjen e qartë për Erik ten Hag nga njëra anë, dhe me deklaratën e shumëfishtë të dashurisë nga CR7 për United dhe tifozët e tij nga ana tjetër.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




