Rovena Dilo rrëfen historinë e “Qyteti im” në Festivalin e Pranverës dhe kujton mesazhin për UÇK-në: Ishte një detyrim moral

Këngëtarja Rovena Dilo ka ndarë nga prapaskena e Festivalit të Pranverës kujtime të veçanta për këngën “Qyteti im” , duke folur jo vetëm për interpretimin e saj, por edhe për mesazhin që përcolli në mbështetje të Kosovës gjatë luftës.
Artistja u shpreh se ndihet e nderuar për prejardhjen e saj familjare, duke theksuar se është pasardhëse e figurave të rëndësishme të historisë shqiptare. Sipas saj, kjo trashëgimi ka ndikuar edhe në mënyrën se si ajo e ka konceptuar rolin e artistit në shoqëri.
“Unë jam mbesë patriotësh dhe për këtë nderohem më shumë se sa për atë që përçoj te njerëzit. Ndoshta pikërisht për shkak të gjakut dhe trashëgimisë së tyre kam ndier gjithmonë detyrimin për të përcjellë mesazhe me përgjegjësi. Stërgjyshërit e mi kanë qenë ndër rilindasit e shquar të Shqipërisë, megjithëse nuk u bënë aq të njohur sa meritonin. Jam pasardhëse e gramaticienit të parë të sintaksës shqipe dhe krijuesit të Kongresit të Manastirit për çetat e armatosura, ndoshta një pikëz gjaku nga këta dy burra ka rënë tek unë dhe unë mundohem ta përçoj me shumë përulësi para shqiptarëve.”, tha ajo.
Dilo kujtoi më pas periudhën kur interpretoi këngën “Qyteti im” në Festivalin e Pranverës, në një kohë kur lufta në Kosovë po merrte jetë njerëzish çdo ditë. Këngëtarja tregoi se gjatë interpretimit kishte vendosur një shall të zi si simbol solidariteti dhe dhimbjeje për ngjarjet që po ndodhnin në Kosovë.
“Atëherë nuk kishte rrjete sociale, ti ishe e vetme. Unë jam shqiptarja e parë që në mënyrë publike që kam thirrur në mënyrë publike pa m’u dridhur qerpiku rroftë UÇK, rroftë Kosova e lirë sepse atëherë ishte Festivali i Pranverës, ndërkohë vriteshin njerëz në Kosovë. Mua më vinte turp që ne këndonim. Unë lidha një shall të zi atëherë kur këndova këngën Qyteti im për Tiranën dhe Tirana dukej pakëz e masakruar, me kioska, me rrugë të shkatërruara. Nuk ishte Tirana sot që ka një fytyrë më europiane dhe më të bukur dhe unë i këndova qytetit tim në mënyrë dramatike. Qyteti im nis kënga veshur me rroba të përdorura, kënga ishte dramë, momenti ishte tragjedi për të gjithë shqiptarët sepse përditë vriteshin në Kosovë shqiptarë të Kosovës dhe unë u ndjeva shumë e obliguar për të manifestuar atë që shpirti më thërriste. Gjithë shqiptarët ishin me mua”, tha Dilo.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




