“Rrëfim i javës në imazhe”, Spiropali pas vizitës në Kiev: Shqipëria e palëkundur në mbështetje të Ukrainës

Politikë | 10 muaj më parë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi së fundmi një vizitë zyrtare në Kiev, në një kohë kur kryeqyteti i Ukrainës vijon të përballet me sulme të vazhdueshme ruse gjatë dimrit të ashpër.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali ndau përjetimet nga vizita, duke përshkruar nga afër pasojat e luftës mbi njerëzit. Ajo theksoi lodhjen fizike dhe shpirtërore që vërehej te qytetarët, fytyrat e luftëtarëve me plagë të dukshme dhe të padukshme, si dhe realitetin e familjeve që jetojnë me mungesa, prindërve që përballen çdo ditë me frikë dhe fëmijëve që detyrohen të rriten para kohe.

Gjatë kësaj vizite, ministrja shqiptare u nderua nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I, një nga dekoratat më të larta shtetërore të vendit, në vlerësim të kontributit dhe mbështetjes së saj ndaj Ukrainës.

Spiropali u shpreh se ky nder përfaqëson një përgjegjësi dhe përulësi edhe më të madhe për të folur, vepruar dhe shërbyer çdo ditë vendin e saj dhe vlerat e përbashkëta.

“Rrëfim i javës në imazhe. Në Kievin që përballet çdo ditë me sulme barbare në mesin e këtij dimri të egër, gjatë vizitës sime zyrtare në Ukrainë pashë nga afër lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve. Pashë fytyra luftëtarësh që mbajnë plagë të dukshme e të padukshme. Familje që jetojnë me mungesa. Prindër që jetojnë me frikën e çdo ditë. Fëmijë që rriten më shpejt se mosha e tyre.

Brenda kësaj dhimbjeje dhe qëndrese të paepur, u nderova nga Presidenti Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I.

Ky nder dhe kujtim i paharrueshëm, ma shtojnë përulësinë dhe përgjegjësinë. Për të folur, për të vepruar dhe për të qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit tim dhe të vlerave që na bashkojnë”, shkruan Spiropali.

Rrëfim i javës në imazhe. Në Kievin që përballet çdo ditë me sulme barbare në mesin e këtij dimri të egër, gjatë vizitës sime zyrtare në Ukrainë pashë nga afër lodhjen në trupat dhe shpirtrat e njerëzve. Pashë fytyra luftëtarësh që mbajnë plagë të dukshme e të padukshme. Familje që jetojnë me mungesa. Prindër që jetojnë me frikën e çdo ditë. Fëmijë që rriten më shpejt se mosha e tyre. Brenda kësaj dhimbjeje dhe qëndrese të paepur, u nderova nga Presidenti Volodymyr Zelensky me Urdhrin e Lartë të Princeshës Olga, Klasi I. Ky nder dhe kujtim i paharrueshëm, ma shtojnë përulësinë dhe përgjegjësinë. Për të folur, për të vepruar dhe për të qëndruar çdo ditë në shërbim të vendit tim dhe të vlerave që na bashkojnë.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme