Rriten regjistrimet në biologji dhe kimi, degët ofrojnë karrierë akademike në drejtime të ndryshme
Interesi i maturantëve për programet e biologjisë dhe kimisë po shoqërohet edhe këtë vit me regjistrime në këto degë universitare. Programet ndërthurin formimin teorik me punën praktike dhe ofrojnë mundësi për vijimin e studimeve dhe punësimit në fusha të ndryshme.
Neira Medja, përgjegjëse në Departamentin Biologji-Kimi, u shpreh “Regjistrimet sivjet kanë pasur rritje. Edhe pse rritja e regjistrimeve mund të lidhet me faktorë të ndryshëm, një ndër faktorët që mendohet është fakti se programi ‘Bachelor Biologji-Kimi’ është një degë që ofron mundësi të gjera, përfshirë edhe karrierë akademike, e cila mund të orientohet në drejtime të ndryshme.”
Pjesë e formimit universitar është edhe puna praktike në laboratorët dhe ambientet në dispozicion të studentëve.
“Ne kemi laboratorë. Këto laboratorë jo vetëm që studentët mund të bëjnë punët laboratorike, praktikat dhe temat e diplomave, por janë të fokusuara edhe drejt kërkimit shkencor. Studentët kanë një mjedis shumë të përshtatshëm.”
Mundësitë që ofrohen pas diplomimit lidhen si me tregun e punës, ashtu edhe me vijimin e studimeve.
“Ti mund të orientohesh në drejtim të mjedisit, mund të punosh në fusha që lidhen me laboratorët. Pra, mund të punosh në laboratorin e analizave në spitalin rajonal, në laboratorët mjekësorë. Mund të punosh edhe në drejtim të farmaceutikës. Bachelor Biologji-Kimi ofron mundësi të cilat nuk janë të kufizuara vetëm në drejtim të mësuesisë.”
Biologjia dhe kimia vijojnë të jenë pjesë e programeve universitare që kombinojnë njohuritë shkencore me përgatitjen praktike, duke u dhënë studentëve mundësi për të vijuar formimin akademik apo për t’u orientuar drejt tregut të punës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




