Rriten tensionet në Lindjen e Mesme. Trump kërcënon Iranin me “shkatërrim”, Khamenei premton hakmarrje

Botë | 2 muaj më parë

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, ndërsa deklaratat e forta nga presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, kanë shtuar frikën për një përballje të re ushtarake në Lindjen e Mesme.

Trump akuzoi Teheranin se vazhdon të ketë si objektiv eliminimin e tij dhe paralajmëroi se çdo atentat ndaj tij do të pasohej nga një reagim shkatërrues i SHBA-së.

“1,000 raketa janë të armatosura, të gatshme dhe të drejtuara ndaj Republikës Islamike të Iranit, me mijëra të tjera që do të pasojnë menjëherë nëse qeveria iraniane zbaton kërcënimin e saj”, shkroi ai në platformën Truth Social.

Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se prej vitesh ndodhet në shënjestër të Teheranit, duke e lidhur këtë me vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani në Bagdad në janar të vitit 2020, operacion për të cilin autoritetet iraniane kanë premtuar vazhdimisht hakmarrje.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, reagoi për herë të parë pas funeralit të babait të tij, Ali Khamenei, duke premtuar hakmarrje ndaj atyre që i cilësoi si përgjegjës për vrasjen e tij.

Në një mesazh publik, ai deklaroi se “hakmarrja është kërkesë e kombit iranian dhe do të realizohet”, duke shtuar se autorët “nuk do të kenë një vdekje të qetë”.

Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se gjatë kësaj jave ka goditur rreth 170 objektiva ushtarake iraniane, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, me argumentin se synon të kufizojë aftësinë e Iranit për të kërcënuar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.

Si kundërpërgjigje, Irani kreu sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, ndërsa autoritetet britanike raportuan edhe sulme ndaj disa anijeve cisternë që kalonin në Ngushticën e Hormuzit

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme