Rritet ndihma ligjore falas

Sociale | 5 vite më parë

Shtrirja e zyrave të shërbimeve të ndihmës ligjore falas për gratë dhe burrat në Shqipëri, por edhe për shtresat e marzhinalizuara të shoqërisë, kryesisht pakicat kombëtare, duket se ka dhënë edhe frutet e para. 

Këto zyra të cilat ofrojnë shërbim në Durrës, Fier dhe Vlorë po ngjallin besimin tek qytetarët të cilët shprehen se janë të lodhur në një odise të pafund në dyert e gjykatave, por këtu kanë gjetur një shërbim dhe zgjidhje të shpejtë. 

Në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë, agjencinë Austriake për Zhvillim dhe në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, PNUD ka mbështetur shtrirjen e këtij shërbimi në ato zona ku shërbimi i ndihmës juridike falas mungonte dhe nevoja e qytetarëve për ndihmë juridike falas ishte e madhe. 

Që prej dhjetorit të vitit 2018 e deri më sot, UNDP ka mbështetur hapjen dhe funksionimin e pandërprerë të 8 qendrave, të cilat aktualisht, që prej dhjetorit të vitit 2020 administrohen nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas në Ministrinë e Drejtësisë ndërsa problematikat e trajtuara nga këto zyra prekin çështjet të cilat edhe sot e kësaj dite nuk kanë gjetur zgjidhje.  

Qendrat funksionojnë në rrethin e Shkodrës, Peshkopisë, Lezhës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Pogradecit dhe Gjirokastrës dhe ofrojnë shërbim juridik falas për të gjitha gratë, vajzat, burrat dhe djemtë në nevojë në mënyrë të pandërprerë, gjithëpërfshirëse dhe të barabartë. 

Gjatë periudhës janar – maj 2021 në total 731 persona në nevojë kanë përfituar shërbim juridik falas në këto 8 qendra, nga të cilët 382 janë femra dhe 349 meshkuj.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme