Rritja e çmimeve rëndon xhepat e studentëve

Sociale | 5 vite më parë

Rritja e çmimeve ka ndikuar edhe në jetën e studentëve. Shumë  prej tyre që vinë nga rrethet dhe jetojnë në shtëpi me qira apo konvikte  u janë rritur shpenzimet dhe detyrohen të kërkojnë para shtesë nga familjet e tyre.

Studentët thonë se veç produkteve të shportës u duhet të shpenzojnë shumë edhe për transportin, ndaj dhe i kanë reduktuar udhëtimet për në familje.

Enxhi Bibo studion prej 3 vitesh në degën e Kimisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tirane. Ajo është nga Delvina dhe familja e saj i mbulon të gjitha shpenzimet e studimeve.

21 vjeçarja thotë se rritja e çmimeve në shërbime, por dhe në ushqime nga muaji mars kanë rritur shpenzimet e saj, duke ja bërë më të vështirë jetën studentore në kryeqytet.

Për të menaxhuar buxhetin mujor për 4000 lekësh që familja i jep, i  duhet të kursejë shumë, dhe të heqë dorë nga shpenzimet ditore të ushqimeve të shpejta kur qëndron gjatë në shkollë. 

Anisa studente në vitin e dytë thotë se tashme në market merr vetëm produktet bazë e të nevojshme, pasi çmimet e rritura kanë nisur të rëndojnë xhepat e saj.

Ndërsa Preng Macaj nga Mirdita që ndjek vitin e parë master në kimi sqaron se çdo muaji i kërkon familjes nga 5000 lekë shtesë nga buxheti prej 35 000 lekësh që ata i kanë përcaktuar.

E vetmja kërkesë e studentëve është që të merren masa që situata të normalizohet dhe jeta e tyre të mos vështirësohet më tej.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme